Analisti politik Afrim Kasolli ka komentuar takimin e fundit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, lidhur me procesin e zgjedhjes së Presidentit/es së vendit, duke theksuar se ai përfundoi me dy interpretime të ndryshme politike.
Sipas Kasollit, kryetari i PDK-së ka deklaruar se oferta e fundit e kësaj partie është një emër i propozuar nga vetë PDK-ja, ndërsa kryeministri Kurti ka theksuar se, në mungesë të një marrëveshjeje politike, procesi do të kalojë në kandidatura partiake.
Ai ngrit dilema mbi hapat e ardhshëm të PDK-së, duke pyetur nëse kjo parti do ta propozojë zyrtarisht kandidatin e saj dhe, në rast se ai nuk mbështetet nga partitë e tjera – veçanërisht nga partia në pushtet – a do ta braktisë seancën parlamentare duke mos marrë pjesë në krijimin e kuorumit, apo do të qëndrojë në sallë dhe do të marrë pjesë në procesin e votimit nëse arrin të sigurojë 30 nënshkrimet e nevojshme.
Sipas analizës së Kasollit, nëse ndodh skenari i dytë, atëherë praktikisht do të legjitimohej një pushtet i plotë i Lëvizjes Vetëvendosje. Ai argumenton se, pasi të sigurohet kuorumi me pjesëmarrjen e partive të tjera, në raundin e tretë të votimit shumica parlamentare do ta kishte më të lehtë ta siguronte edhe postin e Presidentit.
Kasolli vlerëson se një zhvillim i tillë do të shënonte për herë të parë në Kosovën e pasluftës që një subjekt politik të mbajë njëkohësisht postet kryesore shtetërore: Kryeministrin, Presidentin dhe Kryetarin e Kuvendit.