Shqiptar Shaljani ka reaguar ashpër ndaj një shkrimi të publikuar nga Mullah Milazimi, duke e akuzuar këtë të fundit për promovim të neo-otomanizmit në hapësirën publike shqiptare.
Sipas Shaljanit, sa herë që “zbehet zëri i islamit politik”, Milazimi del në mbrojtje të një “nostalgjie perandorake” që, siç thotë ai, nuk ka lidhje me besimin fetar dhe as me dinjitetin kombëtar shqiptar. Ai e kundërshton pretendimin se çdo kritikë ndaj islamit politik përbën “racizëm ndaj turqve dhe arabëve”, duke e cilësuar këtë si manipulim të qëllimshëm.
Shaljani thekson se problemi, sipas tij, nuk qëndron te kombet, por te projektet ideologjike që synojnë të rikthejnë ndikimin kulturor dhe politik të qendrave të huaja mbi identitetin shqiptar. Ai shton se roli i Turqisë në NATO dhe në çlirimin e Kosovës nuk mund të përdoret si argument për të heshtur përballë asaj që e quan “neo-otomanizëm kulturor”.
Në reagimin e tij, Shaljani shprehet se madhështia historike e Perandorisë Osmane nuk është arsye që shqiptarët të ndihen trashëgimtarë të një pushtimi pesëshekullor, duke theksuar se historia duhet parë si përvojë politike dhe jo si “broshurë turistike”.
Ai e konsideron zhvendosje të debatit përpjekjen për ta paraqitur kritikën ndaj instrumentalizimit të fesë si urrejtje racore, duke nënvizuar se mbrojtja e shtetit laik dhe e identitetit kombëtar nuk përbën racizëm.