Shkruan: Afrim Kasolli
Nuk mund të mohohet fakti se vitet e fundit raportet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk kanë qenë në nivelin e tyre më të mirë. Pavarësisht faktit se në mënyrë të vazhdueshme diplomatë amerikanë kanë pohuar se tensione të tilla nuk kanë të bëjnë me popullin e Kosovës, por ato janë vetëm pasojë e sjelljeve të Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti, me theks të veçantë sa i përket aksioneve në pjesën veriore.
Mirëpo, deshëm apo nuk deshëm ta pranojmë, Qeveria e një shteti është përfaqësuese politike e popullit në marrëdhëniet ndërkombëtare. Episodi i fundit të kësaj serie mbetet suspendimi i dialogut strategjik ndërmjet Uashingtonit dhe Prishtinës, nga ana e të parit.
Prandaj, me të drejtë është shtuar shpresa se keto tensione janë relaksuar nga vizita e fundit e presidentes Vjosa Osmani në SHBA. E njëjta pat rastin të takohet me Presidentin Donald Trump, së bashku me liderë tjerë shtetërore në ceremoninë e nënshkrimit të Bordit të Paqes, si dhe pas pak u prit zyrtarisht nga Sekretari amerikan Marko Rubio në zyrën e ketij të fundit. Madje, nëpërmjet një komunikate për media Departamenti Amerikan i Shtetit, ka deklaruar se Vjosa Osmani, konsiderohet si ‘’partnere e përkushtuar në Ballkanin Perëndimor’’. Një bekim ky, padyshim i rëndësishëm për një politikane nga një vend si Kosova, dhe sidomos kur e njëjta ndodhet në fund të mandatit të parë presidencial, por që ende nuk është e qartë a do ta sigurojë të dytin. Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që zyrtar amerikan janë shprehur me tone superlative për presidenten Vjosa Osmani, por kjo nuk ka ndikuar që të mos ketë ferkime diplomatike ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve.
Prandaj edhe në këtë rast vlen e njëjta gjë. Tashmë nuk është sekret publik të thuhet se zotimet e Kosovës në procesin e negociatave me Serbinë me qëllim normalizimin e raporteve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, jane inkorporuar edhe në ligjin e mbrojtjes së SHBA-ve. Dhe si të tilla ato sipas perspektives së Uashingtonit duhet të zbatohen pa humbur kohë.
Prandaj, në masë të madhe cilësia e këtyre raporteve do të kushtëzohet nga mënyra se si do te adresohen këto tema, e të cilat janë kompetencë ekskluzivisht e Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti. Përndryshe, mungesa e progresit në këtë drejtim do të reflektohet edhe në raportet ndërmjet dy vendeve. Dhe mjerisht kjo është njëra nga shkarjet më të mëdha politike dhe diplomatike që i ka ndodhur Kosovës. Sepse tashmë kjo e fundit është pajtuar që pa themelimin të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe nuk mund të ketë marrëdhënie normale as me Uashingtonin dhe as me Brukselin. E është kjo temë që si Presidentja Osmani, ashtu edhe pjesa subjekteve politike tentojnë ta shmangin, por që në fakt e paraqet një pengesë serioze të raporteve tona edhe me SHBA-te.