Shkruan: Nikollë Ukaj
Në një kohë kur feja dhe roli i saj në shoqëri po debatohen, ndonjëherë në mënyrë tendencioze, në Kosovë, është e rëndësishme të kthehemi te thelbi i besimit, siç na mësojnë traditat e mëdha kulturore dhe shpirtërore që kanë formësuar shoqërinë evropiane, së cilës i përkasim gjeografikisht dhe kulturalisht. Besimi i vërtetë nuk matet me deklarata publike, por me mënyrën se si e jetojmë jetën tonë çdo ditë.
Bazuar në këtë trashëgimi, ne kuptojmë se një njeri i mirë besimi është ai që respekton dhe i do të gjithë, edhe ata që nuk e duan. Në të vërtetë, çfarë vlere ka, siç kërkon Ungjilli, të duash vetëm ata që të duan?
Të besosh do të thotë të lejosh që besimi të përshkojë kulturën tënde personale: veprimet, sjelljen, stilin e jetës, mirësinë dhe afërsinë me të tjerët, veçanërisht me ata që janë më të përçmuar nga shoqëria. Besimi në Zot është mbi të gjitha një stil jetese, jo një pamje e jashtme që mund të rrëshqasë lehtësisht në radikalizëm fetar. Kjo është arsyeja pse Jezusi paralajmëron kundër hipokrizisë së farisenjve, të cilët e shfaqnin fenë e tyre për t’u parë dhe admiruar nga të tjerët.
Një besimtar i mirë është dikush që është përgjegjës në rolin e tij, dikush që respekton kolegët e tij dhe nuk i konsideron ata kundërshtarë për t’u eliminuar, dikush që respekton edhe ata që nuk besojnë fare, dikush që i përkushtohet ndihmës së të tjerëve, dikush që nuk paragjykon një person bazuar në pamjen ose stilin e jetës së tij. Shkurt, një besimtar i mirë është dikush që kultivon dhembshurinë dhe dashurinë e vërtetë. Ky stil jetese në vetvete do të tregonte se ne e duam vërtet Zotin dhe i besojmë Atij.
Besimi në traditën tonë shqiptare
Ndër shqiptarët, feja historikisht është përjetuar më shumë si kulturë dhe mënyrë jetese sesa si një vijë ndarëse. Në shumë periudha të historisë sonë, një katolik i mirë që tregonte vepra të mira dhe një kulturë familjare vlerësohej si një person me parime të larta. Po kështu, një mysliman i mirë që tregonte mirësi dhe fisnikëri respektohej po aq shumë. Por historia jonë na mëson edhe një të vërtetë të madhe: në momentet kur kombi ynë, gjuha jonë dhe kultura jonë kërcënoheshin, përçarjet fetare shpërbëheshin. Sepse për shqiptarët, ruajtja e identitetit kombëtar krahas identitetit fetar ka qenë gjithmonë thelbësore.
Marrëdhënia jonë me besimin duhet të kuptohet në këtë frymë: të duam dhe nderojmë fenë që kemi trashëguar dhe që na ka formësuar historikisht dhe kulturorisht, të respektojmë besimet e të tjerëve, por mbi të gjitha të ruajmë me zell gjuhën tonë të përbashkët, kombin tonë dhe traditën tonë, pa i vendosur ato në konflikt me njëra-tjetrën. Kjo është trashëgimia e paraardhësve tanë dhe amaneti i tyre për ne sot, pavarësisht nga besimi i tyre. Çdo gjë tjetër vjen nga armiqtë e betuar historikë të popullit tonë.
Ftesë për harmoni dhe përgjegjësi
Si shqiptar dhe personalisht si katolik që rrjedh nga një familje tradicionale, e cila ruan dhe trashëgon vlerat kombëtare dhe fetare brez pas brezi, u bëj thirrje të gjithë vëllezërve dhe motrave të së njëjtës gjuhë dhe gjak: të jetojnë në harmoni të plotë, duke dashur, respektuar dhe nderuar çdo njeri ashtu siç është.
Duhet të jemi të vetëdijshëm se ruajtja e vlerave, traditave, besimit dhe trashëgimisë shqiptare është një detyrë parësore qytetare dhe morale: është përmbushja e amanetit të paraardhësve tanë.
Shën Pali na kujton një parim themelor: “Me veprat tuaja do të njiheni si dishepuj të Krishtit”. Ky mesazh mbetet universal: besimi demonstrohet në jetën konkrete, jo vetëm me fjalë.
Sfida jonë si popull është të shpallim besimin tonë me vepra, duke dashur dhe ndihmuar njëri-tjetrin, sepse ndërtimi i vendit dhe i shtetit tonë kërkon punë të ndershme, solidaritet shoqëror dhe një kulturë të pjekur shpirtërore.
Historia jonë e lavdishme na tregon se ne shqiptarët, gjatë shekujve dhe dekadave, pavarësisht sfidave dhe kohërave të vështira, kemi triumfuar në unitet dhe solidaritet. Prandaj, duhet të vazhdojmë me këtë frymë: të bashkuar, pavarësisht bindjeve fetare, politike dhe filozofike. Besimi dhe kultura e shqiptarëve kanë qenë dhe duhet të mbeten të lidhura ngushtë me traditat tona: një besim që bashkon, fisnikëron dhe ndërton një shoqëri më të drejtë, më të mirë dhe më demokratike. Ky është misioni i shenjtë që na përket të gjithëve dhe për të cilin jemi të gjithë përgjegjës.