Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Revanshi fuqive planetare ndaj rendit ndërkombëtar

Revanshi fuqive planetare ndaj rendit ndërkombëtar

Shkruan: Afrim Kasolli

Samitet e sigurisë në Munih ka kohë që janë shndërruar në kumte të pakënaqësise së liderëve të shteteve kryesore në botë mbi rendin ndërkombëtar.

Të gjithëve na kujtohet sesi në vitin 2007, presidenti i Rusisë, Vladmir Putin, në të njëjtin event e pat shprehur frustrimin mbi konturat e botës së pas Luftës së Ftohtë. Sipas tij, rendi unipolar amerikan u dizajnua për t’i mbrojtur interesat hegjemonike të Uashingtonit. Prandaj i njëjti nuk mund të pajtohej me këtë rol subordinues. Dhe se do ta kontestonte me të gjitha mjetet supermacine perëndimore. Analistë të ndryshëm kanë vënë në pah, se që nga mbështetja e Kremlinit për ish regjimin e Bashar al Assadit, e deri te lufta në Ukrainë janë pasojë e kësaj strategjie.

Mirëpo, tashmë pakënaqësitë me
rendin ndërkombëtar janë bërë burim i frustrimeve edhe në Shtetet e Bashkuara te Amerikes. Një gjë tillë vërehet qartë nga fjalimi i Sekretari amerikan, Marco Rubio po ashtu në Samitin e Sigurisë në Munih që u mbajt para pak dite.

Diplomati numër një i SHBA-ve deklaroi se vendi i tij së bashku me shumë shtete të botës perëndimore pas Luftës së Ftohtë u zhyten në iluzionet e “fundit të historisë”. E përqafuan një vizion dogmatik “të tregtisë së lirë dhe të pakufizuar”, ndërkohë që çindustrializuam vendet tona, zhvendosëm miliona vende pune jashtë dhe i dhamë kontrollin “kundërshtarëve dhe rivalëve”. Po ashtu, sipas tij “gjithnjë e më shumë ia deleguam sovranitetin tonë institucioneve ndërkombëtare, ndërsa shumë vende investuan në shtete të mëdha të mirëqenies në kurriz të ruajtjes së aftësisë për t’u mbrojtur”.

Një ligjerim i tillë, më shumë se asnjë herë tjetër e shpalos zemërimin e SHBA-ve me rendin ndërkombëtar të pas Luftës së Ftohtë. Prandaj edhe Uashingtoni në vend te angazhimit për ta mirëmbajtjur atë, gjatë viteve në vijim do të jetë i fokusuar vetëm se si ta ruaje fuqinë e civilizimit perëndimor. Ndërkohë janë të njohura edhe ankesat e Kinës sa i përket pozicionit të saj në kuadër të arkitekturës së këtij rendi.

Konstatime të tilla dëshmojnë hapur dhe pa mëdyshje se tri nga fuqitë kryesore të globit e kanë ndjeshmërinë se ato janë humbese si pasojë botës së pas Luftës së Ftohtë. Dhe nëse SHBA-te , Kina dhe Rusia nuk kanë interes që ta mbrojnë këtë rend, atëherë është e kuptueshme që askush tjetër nuk mund ta bëjë. Prandaj me të drejtë kancelari i Gjermanisë Fredrich Merz deklaroi në po të njëjtën konferencë se ky “rend tashmë nuk ekziston më”.