Organizata për Ruajtjen e Traditës dhe Kulturës Shqiptare “Shqiptaria” ka reaguar publikisht kundër vendimit të Drejtorisë Komunale të Arsimit në Prishtinë për riorganizimin e orarit mësimor gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit.
Në reagimin e saj, organizata vlerëson se vendimi nuk është arsyetuar mbi baza pedagogjike, shëndetësore apo sigurie, por mbi bazë fetare, gjë që sipas tyre bie në kundërshtim me parimin e shtetit laik.
Sipas “Shqiptaria”, Kushtetuta e Republikës së Kosovës e përcakton shtetin si laik dhe neutral ndaj besimeve fetare, ndërsa organizimi i institucioneve publike nuk duhet të bëhet sipas nevojave të një feje të caktuar. Organizata thekson se ndryshimi i orarit shkollor për shkak të agjërimit krijon, sipas tyre, një privilegj indirekt fetar dhe cenon parimin e barazisë.
Në reagim thuhet se shkollat publike përfshijnë nxënës dhe mësimdhënës me bindje të ndryshme fetare apo pa përkatësi fetare, ndaj organizimi i ditës mësimore mbi një praktikë fetare mund të krijojë presion social ose institucional ndaj të tjerëve.
Organizata thekson se liria e besimit është e garantuar dhe çdo nxënës ka të drejtë të agjërojë, por kjo duhet të mbetet çështje individuale dhe jo bazë për riorganizimin e sistemit publik arsimor.
“Shqiptaria” ka bërë të ditur se do të ndërmarrë disa hapa institucionalë dhe ligjorë, përfshirë:
-
kërkesë zyrtare për rishqyrtim administrativ pranë Drejtorisë Komunale të Arsimit;
-
ankesë te Avokati i Popullit për cenim të neutralitetit të shtetit;
-
procedurë në Gjykatën Administrative për anulimin e vendimit;
-
nismë për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, nëse konstatohet shkelje kushtetuese.
Në fund të reagimit, organizata thekson se shkolla publike duhet të mbetet hapësirë e barazisë qytetare dhe se neutraliteti i shtetit nuk duhet të negociohet.