Nga 8 janari, Kina planifikon heqjen e karantinës për turistë dhe udhëtarë, njoftojnë autoritetet.
Pas gati tre vjet nga mbyllja e kufijve, ky vend do të rihapë dyert për të gjithë ata që kanë viza pune dhe studentore, ose duan të vizitojnë familjet.
Përkundër këtij vendimi, Kina ende po ballafaqohet me përhapjen e shpejtë të virusit. Madje, raportohet se spitalet atje janë të stërmbushura.
Numri i saktë i vdekjeve në baza të përditshme mbetet aktualisht i panjohur, sepse zyrtarët ndaluan publikimin e të dhënave për Covid-in.
Megjithatë, Pekini ka raportuar rreth 4 mijë raste të reja dhe pak viktima me Covid çdo ditë në javën e kaluar, raporton BBC.
Të dielën, autoritetet vendosën që mos të publikojnë më të dhëna për të infektuarit. Por kompania shëndetësore britanike e të dhënave “Airfinity” llogariti se Kina pret mbi 1 milion infektime dhe mijëra vdekje në ditë.
Kina është shteti i fundit në botë që liron masat pas tre vjet të mbylljes së kufijve dhe karantinës së detyrueshme për rastet me Covid dhe kontaktet. /TV Arbëria