Zëvendëskryeministri i parë, njëherit edhe ministër i Jashtëm, Glauk Konjufca nga Haga ku do të marrë pjesë në fjalën përfundimtare që do ta bëjnë ish-drejtuesit e UÇK-së, ku tha se prania e tijë është për të konfirmuar edhe njëherë që lufta e popullit të Kosovës ishte luftë e drejtë.
Konjufca ka thënë se procesi i tyre përveçse i stërzgjatur, është bërë edhe shkelje brutale ndaj të drejtës për me pasë gjykim të arsyeshëm në kohë, e ku theksoi se nuk kishte ndërmarrje kriminale në UÇK.
“Sot është dita e fundit e procesit i cili zgjati kaq shumë. Procesit të gjykimit të katër drejtuesve. Njëri prej tyre, zoti Hashim Thaçi, ishte president i Republikës së Kosovës, zoti Jakup Krasniqi e zoti Kadri Veseli ishin kryetarë të Kuvendit të Kosovës dhe Rexhep Selimi gjeneral i UÇK-së dhe udhëheqës i GP. Tashmë ata e kanë marrë një dënim të padrejtë, sepse procesi zgjati aq shumë saqë unë dhe të gjithë pretendojmë se u shkel e drejta elementare e njeriut e cila mbrohet edhe me Konventën e Kombeve të Bashkuara, edhe me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut por edhe me Kushtetutën tonë. Dhe kjo është e drejta që personi të gjykohet në kohë të arsyeshme. Dhe kjo e drejtë ma merr mendja që u shkel në mënyrë të dhunshme sepse janë bërë pesë vite e tre muaj që këta drejtues të UÇK mbahen të izoluar dhe larg familjeve dhe shtetit të tyre. Dhe kjo është e para që dua të them. Ka qenë një shkelje brutale e të drejtës për me pasë gjykim të arsyeshëm në kohë”, tha ai.
Konjufca theksoi se kundër kësaj gjykate ishin përhere meqë ishte njëetnike.
“Ne patëm kritikën tonë gjithmonë për këtë gjykatë, që ishte gjykatë njëetnike që fokusin e kishte padrejtësisht në UÇK, e unë jam këtu për të konfirmuar edhe njëherë që lufta jonë, lufta e popullit të Kosovës ishte luftë e drejtë, e pastër, mbrojtëse, dhe nuk ka qenë qëllimi i kësaj lufte sulmi i asnjë populli tjetër, targeti i vetëm i uniformave të UÇK-së ishte policia dhe ushtria serbe, njerëz të uniformuar okupatorë që bënë gjenocidin në Kosovë, që vranë fëmijë, gra e pleq dhe që mbytën mbi 12 mijë qytetarë të Republikës sonë. Kundër këtyre njerëzve ishte drejtuar lufta e UÇK. Këtë të vërtetë nuk ka asnjë institucion, këtë të vërtetë nuk mund ta ndryshojë asnjë gjykatë. E çka po përpiqet të ndodhë në këtë gjykatë është shtrembërimi i historisë sepse edhe baza mbi të cilën u ndërtua kjo gjykatë, që është raporti i Dick Marty, doli një raport i gënjeshtrave me plot të pavërteta, për trafikim të organeve nga UÇK”, theksoi ai.