Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Henry, Dreyfus dhe UÇK, apo fjala, drejtësia dhe pushka si tri fytyra të së njëjtës betejë.

Henry, Dreyfus dhe UÇK, apo fjala, drejtësia dhe pushka si tri fytyra të së njëjtës betejë.

Historia na ka mësuar se ka çaste kur liria duket si një fjalë e thënë me zë të lartë, drejtësia si një dokument i ftohtë në duart e gjykatës, dhe shpresa si një veprim i armatosur, atëherë kur nuk ka mbetur asnjë derë tjetër. Në aktin e parë kemi Patrick Henryn, oratorin e Revolucionit Amerikan; në të dytin, Alfred Dreyfusin, oficerin francez në qendër të një prej skandaleve më të mëdha politike të Evropës; dhe në të tretin, UÇK-në, si formacion i rezistencës së armatosur në Kosovë: tri botë të ndryshme që, nga larg, duken sikur s’kanë asnjë lidhje.
Por kur i mendojmë jashtë emrave dhe datave, kur i shohim si situata njerëzore, ato na dalin para si tri pasqyra të së njëjtës pyetje: si e mbron njeriu dinjitetin kur pushteti mbi të e shtyp deri në skaj?
Patrick Henry hyn në histori si simbol i fjalës që e shndërron frikën në vendim. Ai përfaqëson çastin kur shoqëria ndihet e shtyrë në mur dhe e kupton se neutraliteti është një formë dorëzimi. Te Henry, fjala nuk është retorikë, as zbukurim as poezi: është armë morale. Është e tillë sepse ajo e hap një derë të re, ku njerëzit s’e shohin veten si të nënshtruar, por si qytetarë me të drejtë ta refuzojnë padrejtësinë.
Megjithatë, historia na mëson se edhe fjala ka kufijtë e saj. Ajo mund ta thotë të vërtetën, por s’mund ta garantojë drejtësinë.
Pikërisht këtu nis akti i dytë: Alfred Dreyfus. Një botë ku fjala nuk mjafton, sepse përballë njeriut nuk qëndron vetëm një kundërshtar, por një sistem i tërë. Afera Dreyfus është tragjedia e një individi të shtypur nga mekanizmat e pushtetit, paragjykimet dhe interesat e sistemit. Në këtë tragjedi, shtypja është e dyfishtë. Ai akuzohet padrejtësisht dhe, edhe pasi kuptohet se akuzat janë të rreme, ai bëhet viktimë e institucioneve të sistemit francez, që duan ta ruajnë fytyrën e vet, duke u përpjekur të njollosin drejtësinë dhe të vërtetën.
Dhe pastaj vjen UÇK-ja, ose rasti kur fjala dhe drejtësia duken të pamjaftueshme, sepse bllokohen nga një regjim shtypës. Ajo përfaqëson fazën kur rezistenca e armatosur shihet si mënyra e vetme për të thyer një status quo që prodhon frikë, shtypje dhe dëshpërim. Si akt, UÇK-ja erdhi pas fjalës dhe pas kërkesës për drejtësi. Para se ajo të dilte në skenë, për shumëkënd, fjalët kishin vite që thuheshin e ktheheshin mbrapsht pa rezultat. Për shumëkënd tjetër, drejtësia ishte kudo, përveç aty ku duhej të ishte. Prandaj UÇK-ja u bë pika ku liria dhe drejtësia u bashkuan, duke e detyruar botën ta dëgjonte kërkesën për to edhe kur fjala nuk mjaftonte më.
E përbashkëta e këtyre tri akteve është një kuptim i vetëm. Patrick Henry na e jep lirinë si thirrje që mobilizon. Dreyfus-i na e jep drejtësinë si betejë të gjatë kundër një sistemi që devijon. UÇK-ja na e jep rezistencën për liri e drejtësi kur dialogu bëhet i pamundur. Dhe mësimi që del është i thjeshtë: liria pa drejtësi rrezikon të mbetet slogan, drejtësia pa guxim rrezikon të mbetet letër; por kur liria si kauzë dhe guximi si akt bëhen një, historia shkruhet si e vërtetë dhe si themel që mbahet në këmbë nga morali që kërkon liri për të prodhuar drejtësi.
Sot është e lehtë ta duartrokasësh Henryn nga komoditeti i së tashmes, po aq sa është e lehtë të thuash se Dreyfusi duhej rehabilituar. Por atëherë s’ishte e lehtë, as për Henryn, e aq më pak për Dreyfusin, si dhe as për shoqëritë prej të cilave ata kërkonin ndërgjegje. Megjithatë, këto shoqëri e gjetën atë ndërgjegje, morën anë, dhe i dhanë botës një kontekst mbi të cilin shkruaj edhe unë këtu.
Por, siç e kemi parë, ka pasur dhe ka edhe sot momente kur sistemi i reziston së vërtetës, drejtësisë dhe vetë historisë. Për shumë qytetarë të Kosovës, procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë është përjetuar pikërisht kështu. Me të drejtë shtrohet pyetja: si ndodhi që një proces që, të paktën në teori, bazohej në përgjegjësi individuale, u lexua si padrejtësi kolektive?
Për shoqërinë, procesi është përjetuar si i pambështetur në fakte dhe prova. Pati thjeshtë një logjikë të ngjashme me atë të Dreyfus-it: përpjekja e një sistemi për të ruajtur veten, në dëm të çlirimtarëve tanë. Në pamundësi për të vërtetuar provat si fakt, Haga e trajtoi luftën çlirimtare si dosje. Kur mungon prova, atëherë mbetet interpretimi. Dhe pikërisht kjo, sipas këtij leximi, është ajo që ka ndodhur deri tani në Hagë.
Kur u rikthehemi akteve, Henry mobilizoi masat për liri në Revolucionin Amerikan. Ai kishte të drejtë. Edhe sikur revolucioni të kishte dështuar, ai prapë do të kishte të drejtë, sepse kërkesa për liri përballë robërisë është gjithmonë e drejtë.
Dreyfusi e dinte se ishte i pafajshëm. Fajtor u bë vetëm në interpretimin që i duhej sistemit. Edhe sikur çështja të ishte mbyllur përgjithmonë, ai do të mbetej i pafajshëm. Ndonëse Dreyfusin e përbalt sistemi, atë e shpëton shoqëria. Jo sepse shoqëria ishte më e fortë se sistemi, por sepse ajo këmbënguli me argumente, duke qenë e gatshme të paguajë çmimin e fjalës. Dhe mësimi është i qartë: institucionet mund të gabojnë, madje të këmbëngulin në gabim, por një shoqëri me moral publik mund t’i detyrojë të kthehen te e drejta.
UÇK-ja, që e nisi me kauzën e Henryt, sot në një masë gjendet në pozitën e Dreyfusit. Dhe kur e kemi parasysh se liria si kauzë dhe drejtësia si provë para se t’i përkasin sistemit, i përkasin shoqërisë, atëherë i takon shoqërisë t’i mbrojë. Ishte shoqëria ajo që e pranoi mesazhin e Henryt. Ishte shoqëria ajo që i tha sistemit se dënimi i Dreyfusit ishte një interpretim pa prova, i ngritur mbi paragjykim, dhe se si i tillë nuk i shërbente as kombit, as shtetit. Prandaj, është shoqëria jonë ajo që sot duhet t’i thotë Hagës se interpretimi i saj nuk i shërben as drejtësisë, as shoqërisë, e as së vërtetës.
Nesër më 17 shkurt, të gjithë ata që e kanë njohur robërinë në lëkurë dhe kanë kërkuar liri prej saj, si edhe ata që e duan drejtësinë si provë të vërtetë, të mbështetur në realitet e jo si interpretim mbi “prova” të paqena, duhet të dalin në shesh për ta bërë të dukshëm, të zëshëm dhe të pakthyeshëm një fakt të thjeshtë: historia jonë ka rrënjë në kërkesën për liri dhe drejtësi dhe nuk mund të rishkruhet me asnjë formulë.
Protesta e neserme është ftesë për qytetari, para vendimit që pritet në Hagë. Është ftesë për ndërgjegjen kolektive të secilit, sepse nëse sot na mungon kjo ndërgjegje, pikërisht kur na duhet më shumë për ta thënë një mesazh të drejtë, s’do të na bëjë punë më vonë kur drejtësia të jetë kthyer në instrument për t’ia shpëtuar fytyrën sistemit në kurriz të së vërtetës, lirisë dhe vetë drejtësisë.