Sportisti nga Prishtina, Labinot Limani, ka reaguar publikisht pasi është gjobitur me 30 euro për parkim të automjetit në hapësirën e dedikuar për personat me aftësi të kufizuara, në lagjen Qendra, rruga “Miss Edith Durham”.
Në reagimin e tij, Limani e pranon shkeljen, por thekson se parkimi nuk ka qenë rezultat i papërgjegjshmërisë apo mungesës së respektit ndaj ligjit. Sipas tij, veprimi ka ndodhur për shkak të një situate urgjente familjare.
Ai shprehet se të dy prindërit e tij janë të sëmurë dhe lëvizin me karrocë invalidore, ndërsa parkimi në atë hapësirë ka qenë i detyruar për t’i transportuar në një moment emergjent shëndetësor.
“ Nuk ka qenë veprim i qëllimshëm për të zënë vendin padrejtësisht, por një domosdoshmëri për shkak të gjendjes së tyre të rënduar,” thuhet ndër të tjera në reagimin e tij.
Limani kërkon që rasti të shqyrtohet me mirëkuptim dhe ndjeshmëri nga autoritetet përkatëse, duke marrë parasysh rrethanat familjare dhe situatën reale me të cilën përballet çdo ditë.
Ai gjithashtu ka bërë thirrje për reflektim dhe vlerësim të drejtë të rastit, duke theksuar se veprimet e bëra në kushte urgjente nuk duhet të trajtohen njësoj si shkeljet e qëllimshme.