Në Prokurorinë Themelore në Prishtinë është dorëzuar një kallëzim penal kundër kryetarit të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore Kreshnik Barjaktarit i cili ishte si U.D, si dhe dy zyrtarëve të tjerë të këtij institucioni, Zanita Halimi dhe Luljeta Arifi, shkruan Gazeta Insajderi.
Sipas kallëzimit penal, ekziston dyshimi i arsyeshëm se personat e lartcekur kanë fshehur qëllimisht një Raport të Monitorimit të Jashtëzakonshëm të hartuar nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës. Ky raport, i cili ka rëndësi për ligjshmërinë e veprimeve brenda KKTK-së, pretendohet se është mbajtur i fshehur për të penguar zbatimin e ligjit.
Në dokument evidentohen këto pika kryesore
Vonesa në protokoll. Raporti i KPMSHCK-së mban datën 29.03.2023, por është pranuar zyrtarisht në protokollin e KKTK-së vetëm më datë 10.08.2023, pra me një vonesë prej 4 muajsh.
Zyrtarët akuzohen për “Marrjen apo asgjësimin e vulave zyrtare ose i shkresave zyrtare” dhe “Asgjësimin apo fshehjen e materialit arkivor”, sipas neneve 407 dhe 408 të Kodit Penal.
Po ashtu sipas Kallëzimit penal që posedon Gazeta Insajderi- pretendohet se raporti është fshehur pasi konstatonte se caktimi i atëhershëm i Kreshnik Bajraktarit në pozitën e zëvendësuesit të Udhëheqësit Ekzekutiv ishte bërë në kundërshtim me legjislacionin.
Kallëzimi thekson se fshehja e raportit i mundësoi Kreshnik Bajraktarit vazhdimin e pozitës, ndërsa zyrtares Luljeta Arifi i mundësoi mbajtjen e pozitës si ushtruese e detyrës me të ardhura materiale më të larta.
Kallëzuesi ka kërkuar nga Prokuroria që të fillojë hetimet, të sekuestrojë librin e protokollit të institucionit dhe të verifikojë komunikimet e brendshme për të vërtetuar nëse dokumenti është mbajtur i fshehur me qëllim që anëtarët e tjerë të Bordit të mos informoheshin drejt.
Lidhur me këtë Kallëzim Penal që tashme është duke u trajtuar tek Prokuroria Speciale e Kosovës, Gazeta Insajderi nuk ka marrë përgjigje nga ky institucion lidhur me fillimin e hetimeve.
Përgjigje për këto dyshime nuk ka pasur as nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore, dhe Kreshnik Bajraktari, i cili tashmë është zgjedhur si drejtor i këtij institucioni. Gazeta Insajderi ka adresuar pyetje të gjitha palëve, por deri në publikimin e artikullit nuk kanë kthyer përgjigje.
Më poshtë mund te gjeni Kallëzimin Penal:
Gazeta Insajderi kishte publikuar javën e kaluar raportin e plotë të cilin e fshehën zyrtarë e lartë të këtij institucionit, ndaj të cilëve tashme ekziston edhe një kallëzim penal.