Shoqata Sindikale e ShFMU “Pavarësia”, Këshilli Drejtues i Shkollës dhe Këshilli i Prindërve ka njoftuar se sot nuk do të zhvillohet mësim gjatë dy orëve të para, pasi do të mbahet një protestë.
Përmes një reagimi në Facebook, Shoqata Sindikale ka njoftuar se protesta është organizuar për të reaguar kundër veprimeve delikuente të nxënësve në procesin edukativo-arsimor, duke përfshirë dhunën fizike, fyerjet, ofendimet dhe sharjet ndaj mësimdhënësve.
Kjo erdhi pas një incidenti në këtë shkollë gjatë ditës së hënë, ku një mësimdhënës u incizua duke ushtruar dhunë ndaj një nxënësi, megjithatë, sipas psikologut të “Pavarësisë”, ishin rreth 10 nxënës që kishin rrethuar arsimtarin dhe e kishin sharë e ofenduar.
Kolegët e këtij mësimdhënësi, para mediave dhanë mesazhin e tyre, dhe kërkuan masa konkrete për mbrojtjen ndaj tyre dhe garantim të rendit në institucionet arsimore.
“Kërkojmë masa konkrete, të qarta dhe të zbatueshme për mbrojtjen e mësimdhënësve dhe garantimin e rendit në institucionet arsimore. Mesazhi ynë është i qartë, jemi kundër dhunës, jemi për rend, disiplinë dhe respekt në shkollë”, tha njëri nga kolegët e mësimdhënësit që u ndalua për 48-orë për dhunë ndaj një nxënësi.