Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > FEJA QE PO NA SHERBEHET SI SPEKTAKEL

FEJA QE PO NA SHERBEHET SI SPEKTAKEL

Shkruan: Afrim Haliti

Në teori, formati i Big Brotherit karakterizohet si “lojë”. Në realitet, BBVK është shndërruar në prodhues spektakli ku të gjitha elementet që kanë rëndësi në jetë si nderi, turpi, besimi, intimiteti, madje edhe agresioni verbal akomodohen për klikime dhe momente që bëhen virale. Kur një banore gjatë një transmetimi të drejtpërdrejt pohon një rilindje dhe kthesë fetare me vendimin se do vëjë mbulesë/shami/hijab nga dita tjetër, pra jo menjeherë, derisa njëkohësisht përdor ekspozimin e vijave trupore, konfliktin e vazhdueshëm dhe provokimin si skenografi për kamera, pyetja nuk bëhet më në lidhje me sinqeritetin e saj por pse produksioni, në këtë rast Klan Kosova ndërton skenën ku feja përdoret për efekt special?

Ky skenar nxjerr në pah një dilemë të thellë morale dhe sociologjike. Spektakli, siç teorizohet në sociologji, tejkalon thjesht argëtimin dhe si i tillë përbën një mekanizëm pedagogjik përmes të cilit ne udhëzohemi se si ta perceptojmë realitetin. Sapo feja të depërtojë në këtë “ekonomi të vëmendjes”, ajo rrezikon të reduktohet në thjesht mbulesa e shamija dhe në skenar të prime-t të ardhshëm. Besimi nuk është zbukurim që duhet të vishet për hir të publikut e të largohet kur bie audienca. Feja, secila nga to, kërkon përulësi, reflektim, disiplinë dhe marrëdhënie intime me veten derisa një reality show kërkon antitezën e kësaj përmes performancës, kakofonisë, dominimit në bisedë dhe debat dhe zhurma të çoroditura.

Hipokrizia e ngulitur në këtë kuadër nuk është vetëm e një natyre individuale por pasqyron industrializmin sistemik. Produksioni i Klan Kosovës është shumë i vetëdijshëm se “momenti i mbulesës islame” nxit debat, shkakton polarizim, sjellë klikime dhe provokon reagime. Tek ne, feja vazhdon të mbajë peshë të konsiderueshme emocionale e identitare dhe për këtë arsye përdorimi i saj si mjet dramaturgjik në thelb është skajshmërisht cinik. Madje edhe i rrezikshëm sepse bënë dëm të dyfishtë. Në njërën anë e banalizon besimin për ata që e marrin seriozisht, dhe në anen tjetër nxit cinizmin e atyre që fenë e perceptojnë thjesht si teatër.

Ndërkohë, televizioni do duhej të mbajë përgjegjësi. Klan Kosova, këtë e shet si “format”, si “lojë” dhe si “show”. Por, kur kjo normalizon agresivitetin, fyerjet dhe ndërprerjen e vazhdueshme të të tjerëve, duke e vlerësuar sjelljen e tillë si tregues të një “karakteri të fortë”, atëherë ajo nuk është argëtim neutral por edukim i keq publik. Ky shqetësim nuk është thjesht subjektiv sepse duhet artikuluar shqetësimin se një reality show i tillë po e lehtëson normalizimin e gjuhës së urrejtjes dhe sjelljes së dhunshme brenda sferës publike.

Realiteti është i thjeshtë. Audienca shqiptare nuk duhet të ushqehet me rrëfime morale të rrejshme ku një lojtare, përmes shenjave të një fluture në katin e dymbëdhjetë, papritmas e “zbulon Zotin” live vetëm për ta përdorur të njëjtin “zbulim” si mburojë ndaj kritikave ose si platformë për të fituar simpati. Kur feja manipulohet si mjet emocional, ajo shndërrohet në instrument pushteti brenda asaj shtëpie, me demek “mos më kundërshtoni sepse jam në rrugën e Zotit”, “mos gjykoni transformimin dhe rilindjen time shpirtërore” dhe “kushdo që më kritikon është duke sulmuar fenë”. Kjo dinamikë e mbyt debatin, e vret sinqeritetin dhe e shndërron publikun në gjykues histerik, të polarizuar pro ose kundër në vend që të kultivojë qytetari të informuar.

Këtu pastaj shtrohet pyetja: a po luajm ne me fenë, apo po luan feja me ne përmes ekranit? Reality TV ka një tërheqje perverse. Përdorë diçka thellësisht personale dhe intime dhe e bën atë “publike” për të gjithë, dhe jo me qëllim për ta mirëkuptuar por vetëm për konsum fetishist. Një “rrëfim i besimit në Zot” në rrethana normale është reflektim individual derisa në kontekstin e Big Brotherit, ky rrëfim shndërrohet në “content”. Kjo është për keqardhje.

Për më tepër, ka edhe një efekt tjetër duke ndikuar negativisht në përfaqësimin e vetë grave. Në njërën anë, shfrytëzohet seksualizimi si magnet për vëmendje e në anën tjetër simbolika fetare shfrytëzohet si rrëfim “pjekurie”. Këto dy polaritete tregtohen së bashku, pa llogaridhënie dhe reflektim, thjesht për hir të spektaklit. Kjo përfaqëson formën më të tmerrshme të instrumentalizimit ku forma femërore trajtohet si spektakël e besimi femëror si skenë performative.

Nuk po them që njeriu nuk ka të drejtë të ndryshojë, as që një rilindje fetare nuk mund të ndodhë në kontekste jo konvencionale. Por pretendoj se televizionit, në këtë rast Klan Kosovës i mungon justifikimi etik për ta shfrytëzuar një ndryshim dhe “rilindje” të tillë si ushqim për dramë dhe spektakël. Kur feja shndërrohet në lojë, viktima e parë është vetë shoqëria sepse humb ndjeshmërinë, heq dorë nga turpi dhe e humb vijën ndarëse në mes të asaj që jetohet dhe asaj që shitet.

Së fundi, një pyetje që duhet të na shqetësojë: kur një program ka kaq shumë nevojë dhe me kaq dëshpërim përdorë fenë për të mbajtë vëmendjen e shikuesit gjallë, a nuk nënkupton kjo mungesë në ide, kulturë dhe dinjitet? Apo vetëm thjesht po e jetojmë mekanikën e skandalit?