Haxhiu përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se ankesat kanë të bëjnë me fletëvotimet me postë nga votimi jashtë Kosovës dhe llogaritja e gabuar e rezultatit përfundimar.

“Sot kam dorëzuar dy ankesa zyrtare në PZAP kundër rezultateve përfundimtare të shpallura nga KQZ më 31 janar 2026. Ankesat lidhen me: 1. Përfshirjen e 23,323 pakove të fletëvotimeve me postë nga votimi jashtë Kosovës, të pranuara pas afatit ligjor, në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme; 2. Llogaritjen e gabuar të rezultatit përfundimtar, i cila ka ndikuar në ndarjen e mandateve dhe renditjen e kandidatëve, në zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbajtura me 28.12.2025. Afatet zgjedhore dhe barazia e votës nuk janë rekomandime, ato garantojnë barazinë e votës dhe besueshmërinë e procesit zgjedhor”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Tutje ai ka shkruar se asnjë vendim administrativ i KQZ, nuk mund të ndryshojë ligjin dhe Kushtetutën.

“Nuk kërkoj privilegj. Kërkoj vetëm zbatim të barabartë të ligjit dhe Kushtetutës. Mbrojtja e votës së ligjshme është mbrojtje e demokracisë”, ka shkruar ndër të tjera Haxhiu.