Vepra përbëhet nga 302 rrotulla, të shkruara në të dyja anët, ku secila arrin 4 metra gjatësi dhe 1.5 metra gjerësi. Fletët, që ngjasojnë me pergamenë të trashë, janë prodhuar posaçërisht për Zamanin duke përdorur materiale tradicionale si vezë, niseshte misri dhe shap.

“Sa herë që mendoj për këtë Kuran, më pushton një ndjenjë e jashtëzakonshme. I jam mirënjohës Zotit që më dha jetën dhe mundësinë ta përfundoj këtë vepër. Ndihem thellësisht krenar”, ka deklaruar kaligrafi 54-vjeçar për Associated Press, në një xhami të Stambollit ku ruhet dorëshkrimi.

Kaligrafia islame konsiderohet ndër traditat artistike më të çmuara në botën myslimane. Fillimisht ajo shërbeu për ruajtjen dhe zbukurimin e librit të shenjtë të Islamit, ndërsa më pas u shndërrua edhe në element dekorativ për xhami dhe pallate.

Në Turqi, kjo formë arti arriti kulmin gjatë periudhës osmane, kur mbështetej nga shteti dhe kaligrafët krijuan stile të dallueshme. Sot, Stambolli njihet si një nga qendrat më të rëndësishme të këtij arti, i cili në turqisht quhet “hat”.

Eksperti i artit, Umit Coskunsu, shpjegon se për shkak të kufizimeve në traditën islame për paraqitjen e figurave njerëzore, kaligrafia u shndërrua në një formë qendrore të shprehjes artistike. Sipas tij, “hat”-i është më shumë sesa art – është një akt adhurimi.

“Hat-i nuk është thjesht kaligrafi; ai përfaqëson një mënyrë për t’iu afruar Zotit dhe për ta adhuruar Atë”, thekson Coskunsu.

Ali Zaman ka lindur në Ranya, në rajonin gjysmë-autonom kurd në veri të Irakut. Në vitin 2017, ai u shpërngul me familjen në Stamboll për t’iu përkushtuar projektit të Kuranit dhe për të përsosur mjeshtërinë e tij, duke qenë se, sipas tij, kaligrafia vlerësohet më shumë në Turqi sesa në vendlindjen e tij.

Interesin për kaligrafinë islame e zbuloi rreth moshës 12-vjeçare, gjatë fëmijërisë në Irak.

“Kjo formë arti më tërhoqi menjëherë… ndjeja se aty mund ta gjeja shpirtin tim”, shprehet ai.