Autoritetet vendore, ai thotë se duhet t’i adresojnë këto dhe të zgjidhen përmes dialogut. Në intervistën për KosovaPress, Barbano thotë se ani pse nuk ka më mandat ekzekutiv, roli i EULEX-it në rast të tensioneve është i reaguesit të dytë të sigurisë.

Ai flet edhe për manipulimin me vota në zgjedhjet e fundit, sundimin e ligjit dhe nëse po arrin Kosova të luftojë korrupsionin.

Nga zgjedhjet lokale të 12 tetorit ka ndryshuar udhëheqësia në komunat veriore. Atje udhëheq Lista Serbe, e cila gëzon mbështetjen nga Beogradi zyrtar.

Shefi i misionit të EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano tregon nëse mund të ketë ndikim kjo në situatën e sigurisë në veri.

“Situata e sigurisë në Kosovë në periudhën e fundit mund të konsiderohet e qetë dhe stabile. Ne e shohim pozitivisht kthimin e kryetarëve serbë të Kosovës në detyrë pas zgjedhjeve lokale dhe hapjen e kanaleve të komunikimit mes tyre dhe Policisë së Kosovës. Sigurisht që ka ende sfida dhe nxitës të mundshëm për tensione, por përmes dialogut dhe mbështetjes së institucioneve evropiane, besojmë se ato mund të adresohen në mënyrë paqësore….

Ka ende sfida që duhet adresuar, sidomos në integrimin e plotë të komuniteteve pakicë dhe garantimin e të drejtave të tyre brenda sistemit të Kosovës. Kjo kërkon rregullore, marrëveshje dhe diskutime që mund të zgjidhen vetëm përmes dialogut”, deklaron Barbano.

Në rast të tensioneve dhe përshkallëzimit të situatës në veri, Barbano tregon se cili është roli i EULEX-it.

“Roli ynë është ai i reaguesit të dytë të sigurisë. Nëse, shpresojmë jo, ndodhin trazira serioze civile dhe Policia e Kosovës kërkon ndihmë, ne mund të dislokohemi për ruajtjen e rendit publik dhe kontrollin e turmave. Por kjo është masa e fundit; më parë përdorim mjete dialogu, ndërmjetësimi dhe negocimi”, shprehet ai.

Në anën tjetër, në gjithë Kosovën po vazhdon rinumërimi i votave për kandidatët për deputetë, pasi është vërtetuar që ka pasur manipulim të votave.

Madje, të premten në Prizren është zhvilluar një aksion nga Prokuroria Themelore, ku janë ndaluar 109 persona.

Barbano thotë për KosovaPress se “është për të ardhur keq”, që ka pasur raste të tilla të keqpërdorimeve.