SHKRUAN: ARBEN FETOSHI
(Kosova në anën e historisë)
Në një sistem ndërkombëtar të paralizuar nga apetite hegjemoniste të Rusisë e Kinës, nisma e Presidentit Trump për Bordin e Paqes është një alternativë e domosdoshme për zgjidhjen e konflikteve aktuale.
Me nënshkrimin e sotëm të Presidentes Osmani në margjinat e Forumit të Davosit, Republika e Kosovës e legjitimoi këtë model të përkushtimit ndaj paqes, si “viktima e parë” e Këshillit të Sigurimit, të marrë peng 27 vjet më parë. Ndërhyrja e NATO-s pa miratimin e këtij organi të OKB-së, e kishte kapërcyer veton ruso-kineze, si një “shkelje” e legalitetit për hir të legjitimitetit.
Në analogji me “obligimin” e atëhershëm të SHBA-ve si lidere e paqes dhe demokracisë, Presidenti Trump ka intensifikuar përpjekjet për neutralizimin e kërcënimeve të reja gjeopolitike që vijnë nga Rusia dhe Kina.
Pavarësisht dinamikave dhe konfigurimit final të Bordit të Paqes, qoftë si përplotësim apo si sfidim i Këshillit të Sigurimit, për Kosovën kjo do të thotë avancim i marrëdhënieve strategjike, rikonfirmim i subjektivitetit të barabartë, njohje e angazhimit të saj si faktor i paqes në Ballkan dhe më e rëndësishmja, goditje përfundimtare ndaj luftës narrative të Serbisë që tenton ta paraqesë si burim destabiliteti.
Hezitimi aktual i disa fuqive europiane për t’iu bashkuar këtij mekanizmi, reflekton dilema dhe frikë lidhur me institucionet ekzistuese, por nuk e relativizon rëndësinë e tij.
Bordi i Paqes nxjerr në pah krizën e thellë të sistemit aktual ndërkombëtar dhe mungesën e vullnetit kolektiv për sigurimin e paqes.
Në këtë kontekst, Kosova edhe sot foli me gjuhën e aleatit të saj strategjik: stabilitet, partneritet dhe përgjegjësi ndërkombëtare.