Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se Republika e Kosovës sot është e udhëhequr nga popullistët që s’zgjedhin mjete për pushtet, e toksikuar nga diskursi politik e polarizues në vend.
Abdixhiku në 33 vjetorin e themelimit të LDK-së, ka thënë se Kosova nuk po arrin as të hedhë hapat e mëdhenj zhvillues në vend, e as të ndërtojë ura bashkëpunimi të brendshme, edhe më pak ura komunikimi me aleatët tanë tradicional.
“Potenciali ynë ekonomik, arsimor, shëndetësor, ligjor, social e ndërkombëtar është peng i tekeve populliste që gjejnë fajtorë për mosveprimin e vet. Republika jonë, Kosova shtet i pavarur e sovran, udhëhiqet nga mosbesues të saj. Ajo po përdoret si platformë e revansheve historike ndaj të kaluarës së lavdishme të lëvizjes sonë popullore që sot po i shënon 33 vjet. Sot, Kosova po përballet me kriza të njëpasnjëshme. Rëndesa ekonomike, e rritjes së çmimeve, e kaosit energjetik, e rrënimit shëndetësor e arsimor, e polarizimeve të skajshme me sektorin privat, me media, me mësues, mjek e me gjithë spektrin politik është bërë krejtësisht e zakonshme; siç është bërë e zakonshme dhe përplasja me aleatët tanë. Përderisa familjet kosovare janë lënë në mëshirë të krizave globale, pushteti popullist vazhdon të ndërtojë narracione fiktive mbi të shkuarën. Dhe përderisa të njëjtit mbesin peng të përbaltjes të së shkuarës, ata harrojnë të bëjnë punë të së tashmes – për çka dhe janë zgjedhur të prijnë. Prandaj sot e dy vite, në gjithë Kosovën nuk ke një vendpunishte ku shteti bën një punë. Rrugët kanë mbetur të njëjta, shkollat, çerdhet, spitalet e termocentralet e domosdoshme për vendin nuk kanë marrë asnjë vëmendje tash e dy vjet. Prandaj sot Kosova ka rritjen ekonomike më të ulët në gjithë dekadën e shkuar. Prandaj sot papërballueshmëria e qytetarëve tanë është e rëndë. Prandaj sot bizneset kosovare nuk kanë as punë; e për fatin e keq nuk do të kenë as punëtorë sepse ikja vazhdon dhe atë në rritje të frikshme. Për më tepër, një pushtet i paaftë brenda është i paaftë edhe jashtë; prandaj sot e dy vjet Kosova nuk ka marrë as edhe një njohje, nuk ka bërë as edhe një anëtarësim, nuk ka bërë as edhe një shenjë të vetme në avancimin e çështjes së Kosovës nëpër botë. Mbi të gjitha, sot Kosova është bërë temë e deklarimeve zhgënjyese nga aleatët tanë që na qëndruan në përpjekjen tonë kolektive edhe për liri, edhe për pavarësi edhe për demokraci. Kjo nuk është Kosova që e kemi menduar ndonjëherë”, ka thënë ai duke shtuar se prezenca e LDK-së si faktor kyç në shtet është jetike./TV Arbëria
………………………
LDK 33 VJET
Fjala ime në organizimin e sontëm
Të dashur anëtarë e struktura të LDK-së,
Të dashur themeltarë e bashkëmendimtarë,
Mysafirë e miq të nderuar,
Përfaqësues të korit diplomatik,
Zonja e zotërinj,
Më lejoni që t’ju uroj mirëseardhje në shënimin e 33 vjetorit të themelimit të formacionit politik, demokratik e pavarësist të Kosovës; të shenjës së parë pluraliste në gjithë Evropën Juglindore; në organizimin më të madh nacional të shqiptarëve të Kosovës, në ditëlindjen e 33-të të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Sot, në këtë ngjarje, nuk shënojmë vetëm ditëlindjen e një partie politike; sot shënojmë dhe lindjen e aspiratave të artikuluara politike të popullit të Kosovës, për liri, për pavarësi, për demokraci; për jetë të dinjitetshme, në një shtet të pavarur e të barabartë mes kombeve euroatlantike.
Sot, shënojmë 23 dhjetorin e vitit 1989, në kohën e orëve më të rënda të popullit të Kosovës, kur intelektual të shquar të kohës u ishin përgjigjur thirrjes monumentale të historisë për krijimin e lëvizjes më të madhe shqiptare në Kosovë, në krijimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Në krye të kësaj besëlidhje e kësaj lëvizje popullore, qëndronte prijësi historik i Kosovës, Ati themeltar i shtetit të Kosovës, Presidenti ynë historik, Dr. Ibrahim Rugova.
Me Rugovën dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, lindën dhe projektet e para identitare e organizative të shtetit të Kosovës. LDK organizoi “Deklaratën e 2 Korrikut” të vitit 1990; organizoi Kushtetutën e Kaçanikut të 7 shtatorit të vitit 1990; organizoi “Referendumin Popullor” të vitit 1991. Në këto ngjarje, dhe të tjera, programi politik i LDK-së u bë projekt nacional i Kosovës. Në këtë projekt nacional të Kosovës, u krijua sistemi i pavarur qeveritar, që përbrenda vetes mbante sistemin e organizuar edukativ, shëndetësor, financiar, të informimit, mbrojtjes e vet sigurisë. Ky sistem organizimi qëndronte si fondament i mbijetesës shoqërore të popullit të Kosovës gjatë gjithë viteve të 90-ta. I njëjti u bë dhe shtyllë e luftës çlirimtare nëpër çdo fshat e çdo qytet të Kosovës.
Politika udhëheqëse e Rugovës ndërsa, përbashkuese e paqes e durimit dhe insistimit në të drejtën tonë për liri, pavarësi e demokraci, në njërën anë u bë udhërrëfim për popullin e Kosovës; e në anën tjetër u bë ftesë e angazhimit të paprecedentë të komunitetit ndërkombëtar mbi Kosovën. Rezistenca e shqiptarëve, paqësore e ushtarake, aleanca perëndimore e kurorëzuar në intervenim ushtarak të NATO-s, si dhe vet liria e fund shekullit XX, mbajnë vulën e Rugovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Pas lirisë, LDK u angazhua në rrugëtimin për demokraci dhe pavarësi. Me mbështetje masive popullore LDK udhëhoqi vendin drejt rindërtimit shoqëror dhe formimit të institucioneve të para demokratike. Në po këtë kohë, LDK u angazhua me ndërkombëtarizimin e çështjes së statusit të Kosovës, në bisedime sa patriotike aq edhe profesionale, e në mirëmbajtjen e aleancave nëpër kryeqendrat botërore.
Ky mision u kurorëzua me arritjen më të madhe të popullit të Kosovës, shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008, e me njohjen ndërkombëtare të realitetit shtetar të Republikës së Kosovës.
Pas pavarësisë, Lidhja Demokratike e Kosovës ishte fondamentale në forcimin e kësaj shtetësie të re; nëpërmjet anëtarësimeve në organizatat e rëndësishme ndërkombëtare, politike, kulturore e sportive. LDK ndërtoi shtyllat e orientimeve kontraktuale me BE-në, si aspiratë e patjetërsueshme e popullit të Kosovës.
Të tri dekadat e para u ndërtuan nga veprimtarë e veprimtare të devotshëm e patriotikë, sakrifikues e atdhedashës. Prandaj sot, ne nderojmë secilin anëtar e mbështetës tonin, që nga dita e parë, deri tek kjo e sotmja – pa dallim – që në periudha e kërkesa të ndryshme kohore, i dhanë LDK-së e vet Kosovës gjithë potencialin e vet njerëzor e veprues.
Mbi të gjitha, sot nderojmë gjithë ata që në aktin më të lartë patriotik flijuan jetën në altarin e Republikës; si dhe nderojmë gjithë ata të cilëve në pabesinë e hijeve të territ e krimit, ju mor jeta.
Nderojmë të gjitha strukturat e mëparshme të LDK-së, të të gjitha niveleve, që shërbyen drejtë, me nder dhe me dinjitet në familjen tonë politike. Kjo shtëpi e madhe e demokracisë, është e nderuar dhe me fat që në gjirin e vet ka pasur njerëz si ju. Do të jetë me fat dhe e nderuar kur radhëve të saj e rrugës së trasuar nga ju, do t’i shtohen të rinj e të reja, burra e gra nga çdo anë e Kosovës. Sepse kjo është pasuria jonë e vërtetë. Njerëzit e LDK-së. Ideja e LDK-së, Trashëgimia e LDK-së.
Zonja e zotërinj,
Sot, në këtë përvjetor, më duhet të tërheqë vëmendjen e secilit anëtar të LDK-së për sfidat me të cilat përballet Republika jonë. E udhëhequr nga popullistët që s’zgjedhin mjete për pushtet, e toksikuar nga diskursi politik e polarizues në vend, Kosova nuk po arrin as të hedhë hapat e mëdhenj zhvillues në vend, e as të ndërtojë ura bashkëpunimi të brendshme, edhe më pak ura komunikimi me aleatët tanë tradicional. Potenciali ynë ekonomik, arsimor, shëndetësor, ligjor, social e ndërkombëtar është peng i tekeve populliste që gjejnë fajtorë për mosveprimin e vet. Republika jonë, Kosova shtet i pavarur e sovran, udhëhiqet nga mosbesues të saj. Ajo po përdoret si platformë e revansheve historike ndaj të kaluarës së lavdishme të lëvizjes sonë popullore që sot po i shënon 33 vjet.
Sot, Kosova po përballet me kriza të njëpasnjëshme. Rëndesa ekonomike, e rritjes së çmimeve, e kaosit energjetik, e rrënimit shëndetësor e arsimor, e polarizimeve të skajshme me sektorin privat, me media, me mësues, mjek e me gjithë spektrin politik është bërë krejtësisht e zakonshme; siç është bërë e zakonshme dhe përplasja me aleatët tanë.
Përderisa familjet kosovare janë lënë në mëshirë të krizave globale, pushteti popullist vazhdon të ndërtojë narracione fiktive mbi të shkuarën. Dhe përderisa të njëjtit mbesin peng të përbaltjes të së shkuarës, ata harrojnë të bëjnë punë të së tashmes – për çka dhe janë zgjedhur të prijnë. Prandaj sot e dy vite, në gjithë Kosovën nuk ke një vendpunishte ku shteti bën një punë. Rrugët kanë mbetur të njëjta, shkollat, çerdhet, spitalet e termocentralet e domosdoshme për vendin nuk kanë marrë asnjë vëmendje tash e dy vjet. Prandaj sot Kosova ka rritjen ekonomike më të ulët në gjithë dekadën e shkuar. Prandaj sot papërballueshmëria e qytetarëve tanë është e rëndë. Prandaj sot bizneset kosovare nuk kanë as punë; e për fatin e keq nuk do të kenë as punëtorë sepse ikja vazhdon dhe atë në rritje të frikshme. Për më tepër, një pushtet i paaftë brenda është i paaftë edhe jashtë; prandaj sot e dy vjet Kosova nuk ka marrë as edhe një njohje, nuk ka bërë as edhe një anëtarësim, nuk ka bërë as edhe një shenjë të vetme në avancimin e çështjes së Kosovës nëpër botë. Mbi të gjitha, sot Kosova është bërë temë e deklarimeve zhgënjyese nga aleatët tanë që na qëndruan në përpjekjen tonë kolektive edhe për liri, edhe për pavarësi edhe për demokraci. Kjo nuk është Kosova që e kemi menduar ndonjëherë.
Prandaj prezenca e LDK-së si faktor kyç në shtet është jetike. Dhe për këtë, të jeni të bindur se yjet politike, siç i dhanë LDK-së përgjegjësinë për organizmin për liri, për pavarësi, për demokraci e shtetndërtim, do ti japin dhe përgjegjësinë për ankorimin e Kosovës në familjen Evropiane.
Zonja e zotërinj,
Shënimi i përvjetorit tonë të themelimit, përkon çdo vit me përmbylljen vjetore të punëve tona politike në të gjitha nivelet e organizimit. Viti 2022, ndonëse i rëndë për vendin tonë dhe perspektivën e domosdoshme për qytetarët tanë, ishte vit i angazhimit të jashtëzakonshëm të burrave e grave të shtëpisë sonë politike.
Sot shënojmë pak më shumë se 1 vjetorin e qeverisjes sonë lokale. Të 9 kryetarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës – përkundër vështirësive e mungesës së mbështetjes së domosdoshme nga niveli qendror – vazhdojnë të jenë shembuj të përkushtimit, angazhimit, transparencës dhe pastërtisë qeverisëse. Ata, së bashku me këshilltarët lokal, drejtorët komunal e me ekipet e tyre udhëheqëse – në Prishtinë, Pejë, Lipjan, Viti, Fushë Kosovë, Istog, Obiliq, Junik e Dragash – përfaqësojnë denjësisht idenë e shërbimit ndaj zgjedhësve. Në vend të ankesave për të shkuarën, ata kanë zgjedhur të ndërtojnë të ardhmen. Në vend të përçarjes politike si mjet të vetëm sjelljeje, ata kanë zgjedhur afrimin e përbashkimin. Në vend të sulmeve ndaj oponentëve politik, mediave, organizatave të shoqërisë civile, sektorit privat e secilit do tjetër, ata kanë zgjedhur bashkëpunimin dhe ndërtimin e rrugës së përbashkët përpara – për çfarë dhe janë zgjedhur në rend të parë. Dhe është pikërisht ky model udhëheqjeje që vendin tonë të vogël, me njerëz e potenciale të jashtëzakonshme, e nxjerrë nga depresioni politik drejt progresit e zhvillimit kolektiv të madh.
Përgjatë vitit të shkuar, si parti nisëm pesë procese të rëndësishme për të ardhmen tonë të përbashkët. Së pari, pas një kohe të gjatë, organizuam zgjedhjet në Forum të Gruas dhe Forum Rinor, duke i dhënë kështu gruas dhe rinisë politike jo vetëm platformat e artikulimit tonë të përbashkët, por dhe organizimin e nevojshëm për realizim të rolit meritor që gruaja dhe rinia duhet të kenë përbrenda Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Së dyti, organizuam zgjedhjet e jashtëzakonshme në 10 degë të Lidhjes Demokratike të Kosovës; për të nxjerrë ekipe të reja me angazhim të përbashkët për ngritjen e madhe që i duhet LDK-së në të gjitha qytetet e Kosovës.
Së treti, vendosëm t’i rikthehemi mërgatës shqiptare në Evropë e më gjerë, për t’i rivendosur lidhjet e dyanshme tradicionale që LDK ka pasur gjithmonë. Kështu themeluam ekipin Politik për Mërgatë, të cilët, në bashkëpunim me strukturat e deritanishme në diasporë riaktivizuan dhjetëra nëndegë nëpër kryeqendrat Evropiane. Ato janë bërë tani adresë e organizimit politik të shqiptarëve në mërgatë, brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, adresës së tyre të parë.
Së katërti, nisëm hartimin e programit tonë politik ‘Lidhja për të Ardhmen’, jo vetëm si artikulim ideologjik rugovist, por edhe si program i detajuar mbi politikat e brendshme e të jashtme të Republikës së Kosovës. Kështu, plot 29 ekipe, nga shëndetësia e arsimi, mbrojtja e siguria, ekonomia e drejtësia, energjia e deri tek politika e jashtme, janë duke prodhuar programin më të detajuar politik që ka pasur Kosova ndonjëherë. Mbi 300 profesionistë e ekspertë – të brendshëm e të jashtëm pa dallim – të ndarë në këto 29 grupe, po ndërtojnë orientimin tonë politiko-programor, i cili do të shërbejë si bazë e opozitë bërjes sonë konkrete sot, si platformë zgjedhore në zgjedhjet e ardhshme, e si program qeverisës në Qeverinë e ardhshme të udhëhequr nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Së pesti, dhe jo më pak e rëndësishme, në vitin që lamë pas, nisëm procesin kompleks të regjistrimit të plotë të anëtarësisë sonë. Platforma digjitale ‘regjistrohuLDK’ është bërë adresë e evidentimit individual të secilit anëtar të Lidhjes Demokratike, në Kosovë e Mërgatë pa dallim. Derisa flasim sot këtu, mbi 40 mijë anëtarë janë regjistruar në regjistrin tonë; duke e bërë kështu Lidhjen Demokratike të Kosovës partinë me numrin më të madh të anëtarëve të regjistruar në vend. Regjistrimi i anëtarësisë sonë, përveç se shërben në identifikimin e kuptimin më të mirë të potencialeve tona partiake, është dhe bazë e shëndoshë e demokracisë sonë të brendshme; një ndër shtyllat identitare të LDK-së.
Dhe përgjatë gjithë kësaj kohe, pra përgjatë kohës që mbajtëm zgjedhje në forume e degë, përgjatë kohës së ri zgjimit të organizimit në mërgatë, përgjatë kohës së ndërtimit të programit politik e regjistrimit të anëtarësisë, ne nisëm dhe komunikimin e drejtpërdrejtë me struktura e qytetarë. “LDK ju dëgjon” është bërë tanimë platforma kryesore e komunikimit tonë publik, të drejtë dhe të drejtpërdrejtë anembanë Kosovës. Në gjithë këtë kohë, me bashkëpunëtorë të mi, veprimtarë e veprimtare të shtëpisë sonë politike, kemi takuar në tubime e vizita qytetarë tanë në çdo qytet, fshat e lagje të Kosovës. Nga këto takime të përditshme me ta, po kuptojmë qartë dhe pikëpamjet e brengat e tyre. Po kuptojmë sidomos vështirësitë e papërballueshmërisë së tyre e familjeve të tyre. Shohim braktisjen që kanë marrë nga shteti në çdo sferë të jetës – nga shëndetësia e arsimi, tek ekonomia, punësimi e vet siguria. Shohim, mbi të gjitha, pasigurinë rreth së ardhmes, dhe – fatkeqësisht – ikjen nga vendi si alternativë të vetme të tyre.
Por mbi të gjitha po e kuptojnë një të vërtetë që na bën shumë krenar: LDK është bërë adresë e brengave e halleve të njerëzve tanë. LDK është bërë adresë e ndërtimit të shpresës për ta e për të gjithë vendin. Dhe pikërisht mbi këtë relacion pritjeje, për ta dhe jo për ne, ne duhet të shtrojmë angazhimin tonë të ardhshëm.
Dhe sepse kemi gjetur këtë lidhje, jam i sigurt dhe për rrugën përpara. Sepse kemi gjetur këtë lidhje, në një vit e gjysme dhe jemi dyfishuar. Prandaj në një vit e gjysmë, jemi grupimi politik me rritjen më të madhe në vend. Prandaj në një vit e gjysmë na janë bashkuar Kryetarë Komunash, Deputetë të Kuvendit të Kosovës e anëtarë të shoqërisë civile – profesionistë me integritet, popullaritet e përkushtim të palëkundur. Prandaj në një vit e gjysmë, pritjet për ne janë më të mëdha. Sepse përballë popullizmit e theqafjes së papërgjegjshmërisë, Lidhja Demokratike e Kosovës është gjithnjë feneri i udhëheqjes drejt ndryshimeve monumentale për të cilat ndryshime Kosova s’pushon së pasuri nevojë. Qytetarë tanë presin nga LDK shumë. E kemi për detyrim dhe obligim nacional tu ofrojmë edhe më shumë.
Dhe kjo është thirrja ime sot, të dashur zonja e zotërinj.
Në këtë 33 vjetor të kujtojmë vlerat dhe idealet për çfarë qëndrojmë. Të kujtojmë si mision historik, postulatin e atit themeltar të Republikës, “Kosova shtet i pavarur e sovran, i integruar në NATO e BE dhe me miqësi të përhershme me ShBA”. Të kujtojmë dhe peshën historike që grupimi ynë politik bartë mbi vete, dhe gjithë historinë e lavdishme që kanë krijuar burrat e gratë e tri shkronjave tona.
Të kujtojmë dhe misionin tonë emancipues në demokraci. Si prijatarë të organizimit më të madh shqiptar në Kosovë, si iniciues të demokracisë e themelues të vet shtetësisë e realizues të pavarësisë, LDK-së i takon të emancipojë dhe skenën politike kur e njëjta është në devijime strategjike e me përbërje kontaminuese shoqërore. Prandaj dhe sjellja jonë në opozitë duhet të jetë më ndryshe se atyre që këtë skenë e kanë keqpërdorur për përfitime të shkurta politike. Prandaj ne duhet të ruajmë me fanatizëm idealet tona vepruese e politike, edhe kur ato duken të mbytura nga tymi i popullizmit. Të mbeteni të sigurt që kjo rrugë, identitare rugoviste, është e qëndrueshmja, e vërteta, është e vetmja. Prandaj ne dhe s’mund e s’duhet të bëhemi si ta, sepse ne s’jemi si ta dhe s’duhet të bëhemi si ta. Ne jemi Lidhja Demokratike e Kosovës, shtëpia politike e lirisë, pavarësisë, demokracisë e vet integrimit euroatlantik.
Dhe mu në këtë përvjetor tonin të 33-të, në prag të festave të fundvitit, ju ftoj secilin për angazhim të pandalshëm në besëlidhjen tonë të re, brenda shtëpisë së vjetër politike. Kapitujt e së shkuarës janë të mbyllur, mbi to po hapim faqe të reja në momente të kritike e jetike për të ardhmen e vendit. Ftoj të gjithë të djathtit, të gjithë rugovistët, të gjithë intelektualët e punëtorët, të gjithë besuesit e Republikës dhe të ardhmes sonë euroatlantike, të kapërcejnë çdo pengesë, çdo sfidë e çdo hezitim, për tu bashkuar rreth njëri tjetrit, dhe me të tjerë që duan dhe duhet të jenë me ne në këtë rrugëtim, për t’i dhënë Kosovës, gjeneratave të tashme e të ardhme, ardhmërinë që e meritojnë gjithherë.
Kosova është atdheu ynë.
NATO dhe Evropa është e ardhmja jonë.
Shërbimi ndaj Republikës dhe aspiratave historike të popullit të Kosovës, është misioni ynë. Prandaj, le ta bëjmë bashkë këtë rrugëtim!
Zoti e bekoftë Kosovën.
Zoti i bekoftë familjet tuaja.
Zoti e bekoftë Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Gëzuar dhe ju faleminderit!