Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Organizata “Shqiptaria” reagon ashpër ndaj krimeve në Iran dhe kritikon heshtjen e institucioneve fetare

Organizata “Shqiptaria” reagon ashpër ndaj krimeve në Iran dhe kritikon heshtjen e institucioneve fetare

Organizata “Shqiptaria” ka publikuar sot një reagim të fortë publik, ku dënon pa asnjë rezervë krimet kundër njerëzimit që, sipas saj, po kryhen nga regjimi teokratik në Iran. Në deklaratë thuhet se regjimi iranian ushtron dhunë sistematike ndaj qytetarëve të vet, përfshirë ekzekutime, tortura, burgosje politike, shtypje të grave dhe eliminim brutal të çdo zëri opozitar.

Sipas organizatës, këto veprime përbëjnë krime shtetërore të dokumentuara dhe të vazhdueshme, të cilat nuk mund të relativizohen apo të justifikohen si çështje interpretimi ideologjik apo fetar.

“Shqiptaria” shpreh shqetësim të veçantë për, siç e cilëson, heshtjen e organizatave islame në nivel ndërkombëtar dhe lokal. Në mënyrë të drejtpërdrejtë kritikohet Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), për të cilën thuhet se nuk ka reaguar apo dënuar publikisht terrorin shtetëror dhe krimet kundër njerëzimit në Iran.

Organizata vlerëson se kjo heshtje nuk është e rastësishme, por një zgjedhje, duke e quajtur të papranueshme sjelljen e institucioneve fetare që, sipas deklaratës, tregojnë aktivizëm të lartë në etiketime si “islamofobi” ndaj kritikëve të normave fetare apo rolit të fesë në hapësirën publike, ndërkohë që heshtin përballë krimeve të një regjimi teokratik që vepron në emër të Islamit.

“Feja nuk mund të përdoret si mburojë për tiraninë,” thuhet në reagim, ku theksohet se heshtja përballë krimit nuk përbën neutralitet, por bashkëfajësi morale.

Në fund, Organizata “Shqiptaria” u bën thirrje Bashkësisë Islame të Kosovës dhe të gjitha institucioneve fetare që të pozicionohen qartë dhe publikisht kundër krimeve të regjimit iranian, duke nënvizuar se dënimi i kritikave si “islamofobi”, pa dënuar krimet reale të kryera në emër të fesë, përbën standard të dyfishtë dhe hipokrizi.

Reagimi është shoqëruar me thirrje dhe etiketime publike si: #KrimeKunderNjerezimit, #StopTeokracise, #HeshtjaEshteBashkefajesi dhe #JoNeEmerTeFese.