Shkruan:Afrim Haliti
Në vitin 1978, në cilësinë e gazetarit për disa media perëndimore, filozofi Michel Foucault udhëtoi në Iran në kulmin e revolucionit dhe intensitetin e këtij revolucioni e konsideroi emancipim duke bërë që për një moment të shpejtë të përjetojë dashuri për të. Ky admirim i tij nuk ishte i drejtuar drejt islamizmit si doktrinë por drejt vetë fenomenit të kryengritjes dhe revoltës, dmth atë çastin kur individët kolektivisht refuzojnë nënshtrimin dhe shqetësimin. Brenda kësaj ngjarjeje ai perceptoi diçka që tejkalonte paradigmat konvencionale të Perëndimit. Këtë ai e quajti “spiritualitet politik”, një frazë që historia do ta ndëshkonte në fund.
Revolucioni të cilin ai e shikonte përmes syrit filozofik e shkatërroi monarkinë e Shahut Pahlavi dhe në vend të tij instaloi një regjim shumë të frikshëm e të djallëzuar. Burgjet e Iranit u mbushën përplot. Ekzekutimet u shndërruan në ngjarje të zakonshme. Gratë u margjinalizuan. Ndërsa Foucault u tërhoq. E denoncoi dhunën e pastaj pushoi së foluri për këtë dhe zgjodhi heshtjen totale. Por, pas la një mësim tronditës, mësimin se revolta mund të jetë autentike, etike, apo edhe e drejtë e megjithatë të shkaktojë shtypje, dhunë e tirani.
Gati pesë dekada më vonë, sot Irani edhe një herë është në gjendje trazirash të përditshme dhe rëndësia e këtyre ngjarjeve është e pamohueshme.
Nëpër qendrat e mëdha urbane si dhe në zonat e anashkaluara rurale, iranianët janë ngritur kundër një regjimi islamik që ka humbur edhe maskën e fundit të legjitimitetit. Ajo që fillimisht u ndez si pakënaqësi ekonomike ka evoluar në refuzim të hapur të autoritetit të ajatollahëve. Thirrjet e artikuluara janë të qarta, laike dhe bashkëkohore. Reagimi i shtetit në anën tjetër është po aq i qartë: plumba, burgosje masive, inkursione në spitale dhe censurë të internetit. Edhe pse ende nuk ka statistika të qarta, vuajtja dhe tirania ndaj qytetarëve Iranian është e padiskutueshme. Kjo nuk është kryengritje metafizike, përkundrazi, përbën një luftë për një jetë normale.
E megjithatë, jashtë Iranit, diçka nuk është krejt normale. Reagimi global, veçanërisht nga e majta perëndimore papritur është zhdukur. Të njëjtat lëvizje, rrjete dhe zëra që u mobilizuan për Gazën, që sheshet publike, institucionet akademike e platformat e mediave sociale i shurdhuan me moral për muaj e vite të tëra, tani duket se janë stepur, përveç disa deklaratave të rralla dhe fragmenteve të aty-këtushme të kinse një vëmendjeje.
Ky kontrast assesi nuk mund të anashkalohet. Për më tepër, është shumë sfiduese për ta racionalizuar.
Solidariteti i vërtetë, nëse është me të vërtetë qëndrim parimor duhet të jetë gjithëpërfshirës. Por nëse varet vetëm nga identiteti i “shtypësit” ose nga komoditeti gjeopolitik i narracionit, atëherë pushon së qeni solidaritet dhe shndërrohet në pozicionim. Kur padrejtësia si akt mund që disi t’i vishet Perëndimit atëherë zemërimi po dëshmohet që manifestohet pa problem. Në anën tjetër, kur represioni po kryhet nga një regjim jo-perëndimor, madje edhe anti-perëndimor, i cili pretendohet se përfaqëson rezistencë edhe pse duke qeverisur dhunshëm, shumëkush po heshtë.
Irani, pamëshirshëm e shpërbënë sistematikisht këtë ambivalencë etike.
Ngjashëm siç e shpërbënë edhe Kosova.
Në muajt e fundit, brenda kontekstit të Kosovës, individë të shumtë që më parë artikuluan mbështetjen e tyre për Gazën, ata që bënë deklarata dhe miratuan një stancë morale, papritur po heshtin për atë që po ndodhë aktualisht në Iran. Kjo heshtje nuk vjen nga mungesa e vetëdijes. Kosovarët kanë një kuptim të thellë të dhunës shtetërore. Ata janë të familjarizuar me censurën dhe janë shumë të vetëdijshëm për autoritetin arbitrar. Kosovarët kuptojnë implikimet kur shteti e kategorizon qytetarin si kundërshtar.
Megjithatë, shumë nga ata që më parë artikuluan angazhimin e tyre ndaj drejtësisë në vende tjera tani hezitojnë të angazhohen qofte edhe verbalisht me situatën aktuale në Iran.
Kjo mund t’i atribuohet faktit se Irani nuk përshtatet lehtë me reflekset ekzistuese ideologjike. Protestuesit nuk po valojnë flamuj të pranueshëm dhe “trendy”. Kundërshtari i tyre nuk është as Izraeli e as Shtetet e Bashkuara. Konflikti i tyre nuk mund të thjeshtësohet në tregim thjesht të fajit perëndimor. Ai paraqet një dilemë më komplekse, dilemën se a pajtohemi me njerëzit apo me narrativat?
Gabimi i Foucault në vitin 1979 nuk ishte kundërshtimi i tij ndaj tiranisë, por romantizimi i tij i revoltës pa i adresuar pasojat e saj. Heshtja e sotshme përfaqëson një dështim të kundërt: paaftësinë për të pranuar revoltën kur ajo prish komoditetin ideologjik të dikujt. Në të dy rastet, abstraksioni pengon njohjen e realitetit njerëzor.
Situata aktuale në Iran nuk është e paqartë. Një popull po kërkon dinjitet, të drejta dhe fundin e sundimit ideologjik të imponuar me dhunë. Këtë po e udhëheqin gratë. Të rinjtë po paguajnë çmimin e regjimi i ajatollahëve nuk po përgjigjet me reforma por me dhunë e më plumba. E aty askush nuk po kërkon ndërhyrje të huaj. Thjesht, vetëm vëmendje dhe mirënjohje.
Ta injorosh këtë realitet, veçanërisht kur ke deklaruar solidaritetit të vazhdueshëm për vende tjera, nuk është akt neutraliteti. Kjo nënkupton një pranim të nënkuptuar se ndjeshmëria vepron në kushte të caktuara, se indinjimi është selektiv dhe se disa viktima konsiderohen “më të mbrojtshme” se të tjerët. Historia nuk do të mbajë ne mend vetëm deklaratat që janë ideologjikisht më të përshtatshme. Historia mbanë në mend ata që zgjedhin të flasin kur është e domosdoshme, dhe ata që heshtin sepse shprehja e mendimeve të tyre duket e papërshtatshme.
Po të ishte sot gjallë, Foucault sigurisht do ta shihte më qartë atë që Irani po e thotë me gjak, se rezistenca nuk kërkon elokuencë që të konsiderohet legjitime. Shume shpesh ajo kërkon vetëm dëshmitarë. Heshtja, veçanërisht nga ata që dikur bërtisnin fort, nuk është kurrë neutrale.