Lista “Srpska” dhe zyrtarë të tjerë serbë kanë paralajmëruar mbajtjen e një proteste në Rudare duke bërë thirrje për pjesëmarrje të serbëve në këtë protestë.
Nga burime mësohet se qytetarët serbë të Kosovës janë të detyruar që të marrin pjesë në protestë përkundër vullnetit të tyre.
Sipas burimeve, serbët janë kërcënuar dhe shantazhuar për pjesëmarrje në protestë, përmes formave të ndryshme që përdorin institucionet e Serbisë ndaj qytetarëve të Kosovës.
Një qytetar serb në kushte anonimiteti ka deklaruar se “Mbrëmë më kanë ardhur në shtëpi dy serbë punonjës të strukturave ilegale të zonës dhe më kanë kërcënuar që nëse nuk shkoj në protestë, do të më ndalin pagën që e marrë nga Serbia dhe pensionin që marrin prindërit. Nga shqetësimi nuk kam fjetur gjithë natën”.
Sipas një qytetareje serbe edhe personat e sëmurë që kanë nevojë për trajtim mjekësor në shtëpi, i kanë obliguar që të marrin pjesë në protestë, me qëllim që protesta të duket sa më masovike.
“Një fqinji im i cili është i sëmurë dhe qëndron në shtëpi, e kanë detyruar që të marrë pjesë në protestë, apo në të kundërtën do t’i ndalin ndihmat që ai merr dhe nuk do të mund të trajtohet në asnjë institucion shëndetësor serb”, tha ajo.
Këta qytetarë deklarohen se nuk janë të interesuar për politikë. “Mua nuk më intereson politika, më intereson të kem para për të jetuar dhe një jetë të sigurt”, tha ai.
Ndërsa qytetari tjetër deklaron se “Serbët e Kosovës, nuk mund të jenë vegël e Vuçiqit dhe grupeve të tij kriminale, që të përdoren për interesa të tyre”. /TV Arbëria