Kosova po përballet me një situatë të rëndë emergjente, ku përmbytjet kanë përfshirë fshatra, qytete dhe akse të rëndësishme rrugore në disa pjesë të vendit. Lumenjtë kanë dalë nga shtrati, ndërsa rrugë lokale dhe nacionale janë bërë të pakalueshme, duke vënë në rrezik jetën dhe pronën e qytetarëve.
Sipas Qëndrim Kryeziut, kjo gjendje nuk është thjesht pasojë e reshjeve të dendura të shiut, siç po mundohet ta paraqesë pushteti, por rezultat i drejtpërdrejtë i keqqeverisjes dhe korrupsionit institucional.
“Kjo nuk është një fatkeqësi natyrore dhe as ndëshkim nga Zoti. Është pasojë e drejtpërdrejtë e korrupsionit të Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti,” ka deklaruar Kryeziu.
Ai thekson se gjatë një mandati të plotë qeverisës, pushteti aktual ka penguar konkurrencën ekonomike dhe investimet strategjike, duke favorizuar tenderë njëburimorë dhe vendime të diktuara nga vullneti politik, e jo nga gara e ndershme.
“Sistemi i tenderëve është shndërruar në mjet për pasurim të shpejtë të zyrtarëve të pushtetit, ndërsa interesat publike janë lënë në harresë,” thekson Kryeziu.
Sipas tij, si pasojë e kësaj qasjeje abuzive, mirëmbajtja e shtretërve të lumenjve, rrugëve dhe infrastrukturës jetike ka mbetur pa përgjegjësi institucionale, duke e lënë vendin të pambrojtur përballë situatave emergjente.
“Këto ditë tregojnë më qartë se kurrë se Kosova nuk po përmbytet nga shirat e rrëmbyeshëm, por nga pellgu i korrupsionit në të cilin e ka zhytur Albin Kurti me kompaninë e tij qeverisëse,” përfundon Kryeziu.