Në një përgjigje pwr Telegrafin, PZAP ka bërë të ditur se subjektet politike që kanë paraqitur numrin më të madh të ankesave përfshijnë: Lëvizjen Vetëvendosje, Lidhjen Demokratike të Kosovës, Listën Serbe, Kosovski Savez, Za Slobodu Pravdu i Opstanak dhe Lëvizjen Përparimtare të Romëve të Kosovës.

Sa i përket natyrës së ankesave, Paneli sqaron se ato lidhen kryesisht me çështje të ndryshme gjatë procesit zgjedhor.

“Sa i përket natyrës së ankesave, kanë të bëjnë kryesisht me vendosjen e materialit promovues në hapësirë publike, shfrytëzimin e resurseve publike të institucioneve, ndikimin në votues, si dhe kundërshtimin e vendimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ),” thuhet në përgjigjen e tyre.

PZAP ka theksuar se çdo ankesë trajtohet sipas rregullave dhe afateve të parapara me ligj, ndërsa vendimet e panelit synojnë të sigurojnë një proces zgjedhor të drejtë dhe transparent për të gjitha subjektet dhe qytetarët.