Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) përmes një njoftimi zyrtarë ka hedhur poshtë zërat për moslicencim.
FFK bënë të ditur se ende nuk ka asnjë vendim nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit sa i përket refuzimit të aplikimit për rilicencim, raporton KosovaPress.
FFK thotë se ka aplikuar në afatin e paraparë si dhe i ka bashkëngjitur në kohë të gjitha dokumentet e kërkuara nga Komisioni Vlerësues për Licencim të Federatave Sportive (KFLFS).
“Ndonëse ka tendenca nga individë të caktuar, tashmë të njohur për FFK-në dhe për opinionin, për ta penguar dhe për të dhënë opinione kundër rilicencimit, nuk ka asgjë të vërtetë sa i përket refuzimit të aplikimit të FFK-së. Gjithsesi, qëndrimin e Ministrisë e jep lidershipi i saj, e i cili deri më tash ka qenë dhe është tejet korrekt dhe profesional në raport me federatën.
Pra, nuk ka asgjë të vërtetë nga ajo është publikuar, e që nga individë të caktuar është përhapur me pompozitet në disa media, të cilat ka kohë që njihen për dezinformata ndaj institucionit të futbollit”, shkruante në komunikatën e FFK-së.
Sipas FFK-së ekzistojnë të gjitha kapacitetet për t’i plotësuar të gjitha kushtet ligjore të kërkuara me aktet ligjore në Kosovë për rilicencim dhe plotësimin e kërkesave nga rregullorja e UEFA-s dhe FIFA-s. /TV Arbëria