Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Qëndrim Kryeziu, ka reaguar lidhur me konfiskimin e patentë-shoferëve nga policia dhe Ministria e Punëve të Brendshme.
Kryeziu ka theksuar se, sipas Kushtetutës së Kosovës, organi i vetëm kompetent për pezullimin e patentës është gjykata dhe jo ministria apo policia.
Ai ka deklaruar se me ardhjen e PDK-së në pushtet, patentat e shoferëve që janë konfiskuar do t’u kthehen, ndërsa në të ardhmen do të jetë gjykata ajo që do të vendosë për çdo rast individual.
Sipas tij, pasi patenta jepet nga shteti, asnjë ministri nuk ka të drejtë t’ua marrë qytetarëve pa vendim gjyqësor.