Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, Fadil Demaku ka vlerësuar se PDK është alternativa më e mirë për qytetarët për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.
Demaku ka thënë se gjatë takimeve me qytetarët është evidentuar një dëshpërim i madh ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, duke theksuar se programi i PDK-së pritet të reflektojë në vota të shumta nga qytetarët.
Sa i përket bllokadës institucionale 9-mujore, Demaku ka deklaruar se është e pakuptimtë që LVV ta fajësojë opozitën, duke theksuar se përgjegjësia është e vetme e kësaj partie.
Ai e ka konsideruar vonesën në formimin e institucioneve të qëllimshme dhe si një strategji për të mbajtur pushtetin pa mbikëqyrje.
“Është e pakuptimtë të fajësosh të tjerët për përgjegjësinë që të takon ty. Vetëvendosja ka këtë mënyrë komunikimi me qytetarët: për ato që premton nuk mban përgjegjësi dhe, me kalimin e kohës, gjithçka shpesh del e kundërta, pa ndonjë lloj përgjegjësie ndaj qytetarit. Ata janë një rast i veçantë në skenën politike, sepse e dinë që veprojnë kështu, por prapë insistojnë të qëndrojnë në pushtet. Qartësisht, Lëvizja Vetëvendosje është fajtorja e vetme që për 9 muaj qytetarët kanë pritur formimin e institucioneve, edhe pse kanë pasur të gjitha mundësitë. Mendoj se kjo ka qenë një strategji e kalkuluar për të qëndruar në pushtet pa mbikëqyrje”, është shprehur Maloku.
I pyetur nëse PDK-ja ka pasur ndonjë kalkulim gjatë kësaj periudhe, Demaku e ka mohuar duke thënë:
“Nuk ka pasur nevojë fare të kalkulojë PDK-ja, sepse përgjegjësia nuk ishte jonë, por e Vetëvendosjes. PDK-ja ka qëndruar unanimisht në pozicionin e saj, të votuar nga qytetarët, ndërsa përgjegjësia ishte e tyre dhe jo e jonë”, ka përfunduar Demaku.