Analisti politik Gani Qarri ka reaguar ashpër në një përgjigje për TV Arbëria ndaj deklaratës së kandidatit për deputet nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, i cili ka pohuar se kontributi kryesor për heqjen e masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës ka ardhur nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përmes bindjes së presidentit francez Emmanuel Macron dhe kryeministres italiane Giorgia Meloni gjatë Samitit Ballkan–BE.
Duke komentuar këtë deklaratë, Qarri është shprehur se nga radhët e PDK-së po vërehet një deformim i hapur i fakteve në funksion të fushatës parazgjedhore.
“Lidhur me deklaratën e Enver Hoxhajt dhe deklaratat tjera nga radhët e PDK-së, shohë vetëm një nëpërkëmbje argumentesh dhe manipulime të qëllimshme me të vërtetën, pikërisht në valën e fushatës parazgjedhore, gjë që nuk u bënë mirë as vet kandidatëve të kësaj partie, sepse është shtrembërim i hapur i fakteve autentike dhe nënçmim i inteligjencës së votuesve”, ka deklaruar Qarri.
Ai ka theksuar se votuesit e sotëm nuk janë më ata të dekadave të pas Luftës së Dytë Botërore, por qytetarë të informuar dhe me qasje të gjerë në burime mediatike.
“Kur dihet mirëfilli se nuk kemi të bëjmë më, me votues të viteve të pas-Luftës së Dytë Botërore, por me njerëz të shkolluar dhe që dinë të lexojnë, të cilët kanë qasje në shumë rrjete mediatike e sociale ku mund ta gjejnë të vërtetën pa ua paketuar siç dëshiron Enver Hoxhaj, Elmi Reçica, Xhavit Haliti etj, me ambalazhe lara-lara të PDK-së”, ka shtuar ai.
Qarri ka përmendur edhe kundërthëniet brenda vetë PDK-së, duke kujtuar deklaratën e Elmi Reçicës.
“Pikërisht sa i takon heqjes së masave shtrënguese nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës, çuditërisht vetëm pak ditë më parë Elmi Reçica deklaronte se masat i hoqi Bedri Hamza me vetëm një ‘selam’ dërguar BE-së, ndërsa Enver Hoxhaj tani na del hapur në kundërshtim me mikun e tij E. Reçicën dhe përrallon publikisht, duke ia mveshur gjithë kontributin për heqjen e masave Edi Ramës, gjë që nuk është aspak e vërtetë”, ka thënë Qarri.
Sipas tij, këto deklarata lidhen edhe me përçarjet e brendshme në PDK.
“Enver Hoxhajt me kryetarin e vendosur ad-hoc në krye të PDK-së, kanë mospajtime të thella, ndaj për të mos ia falur ‘meritat’ Bedri Hamzës që atij ia atribuoi Elmi Reçica, duke qenë se Enver Hoxhaj nuk e donte Bedriun për kryetar të partisë, ai ia atribuojë ato Edi Ramës”, është shprehur analisti.
Qarri ka qenë kritik edhe ndaj rolit të Edi Ramës në raport me Kosovën.
“Ai i ishte i pari që i pati vendosur masat ndaj Kosovës dhe sikur mos të mjaftonte as kjo, i dërgoi presidentit francez Emanuel Makron e thuhet se edhe Georgia Melonit, një projekt fantom për ‘zajednicën’ serbe, pa asnjë informim dhe fare pa dijeninë e Kosovës”, ka theksuar ai.
Në fund, Qarri ka theksuar se meritat për heqjen e masave i takojnë institucioneve të Kosovës.
“Kosova për heqjen e masave duhet t’i falënderohet kontributit të Qeverisë së Kosovës për luftimin e vendosur të korrupsionit e krimit të organizuar, kalimin e qetë e demokratik të pushtetit lokal, në komunat veriore, si dhe vendosjen e rendit e të ligjit në gjithë territorin e shtetit tonë”, ka deklaruar ai.
Ai ka shtuar se rol kyç kanë pasur edhe angazhimet ndërkombëtare të Presidentes së Kosovës.
“Si dhe angazhimeve të pareshtura të Presidentes Dr. Vjosa Osmani te Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe Gjermania e vendet tjera perëndimore të BE-së”, duke përfunduar se, sipas tij, “po të mbetej puna në kontributin e Edi Ramës, ai vetëm për të mos e shqetësuar mikun e tij Aleksandër Vuçiq… do të bindte Macronin dhe Melonin që masat ndaj Kosovës të mos hiqeshin kurrë, pa koncesione tjera edhe më të dhimbshme ndaj Vuçiqit dhe Serbisë hegjemoniste”.