Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Qëndrim Kryeziu, ka reaguar ashpër lidhur me faturimin e energjisë elektrike, duke ngritur dyshime për rritje të padrejtë të çmimeve dhe duke akuzuar institucionet për mungesë transparence.
Sipas Kryeziut, edhe pse sot janë hequr shpenzimet e gjendjes momentale, qytetarët po përballen me fatura më të larta. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të kontrollojnë faturat e tyre dhe të vërejnë, siç thotë ai, “vjedhjet që po ndodhin aktualisht”.
“Në fund, gjithmonë justifikohen me ‘gabim teknik’, me nga 100–200 euro më shumë ose rreth 20 për qind fatura më të shtrenjta për secilin qytetar. Mbani mend këtë fjalë: hajnia po ndodh në këto momente”, ka deklaruar Kryeziu.
Ai ka përmendur edhe emra konkretë, duke iu drejtuar ish-drejtuesve të KEDS-it në Malishevë. Kryeziu ka ngritur pyetje publike se si është e mundur që para 10 vjetësh të gjitha pikat i ka paguar 650–700 euro, ndërsa sot, sipas tij, një pikë me të njëjtin shpenzim kushton 700–800 euro.
Në reagimin e tij, Kryeziu e ka politizuar çështjen, duke thënë se përgjegjësia për këtë situatë bie mbi qeverisjen aktuale. “Hajnia ka emër. Hajnia quhet Albin Kurti”, ka përfunduar ai.