Kryeministri Rama gjatë podkastit “Flasim”, foli për vizitën e tij në Hagë dhe takimin me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Sipas tij, procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së buron nga një “farsë” e nisur në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe e vazhduar në Gjykatën Speciale në Hagë.
Kreu i qeverisë u shpreh se e ka gjetur Hashim Thaçin në gjendje të mirë shpirtërore, të qetë dhe të buzëqeshur, duke e cilësuar këtë si qëndrim të një njeriu të pafajshëm me karakter të fortë.
Rama deklaroi se i mungojnë fjalët për të përshkruar atë që e quajti një padrejtësi të rëndë në zemër të Europës demokratike.
Sipas Ramës, kjo situatë nuk përbën vetëm një padrejtësi ndaj disa individëve, por ndaj vetë popullit të Kosovës, i cili luftoi për lirinë e tij. Ai theksoi se drejtuesit e UÇK-së, përfshirë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, kanë luajtur rol vendimtar jo vetëm në çlirimin e Kosovës, por edhe në heqjen e asaj që ai e quajti një njollë të rëndë historike për Europën.
Në fund të fjalës së tij, kryeministri Rama u shpreh në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që ndodhen prej më shumë se pesë vitesh në paraburgim në Hagë, duke i cilësuar si pengje të një padrejtësie.