Një shtetas shqiptar, 20 vjeç, është plagosur mbrëmjen e së shtunës nga karabinierët italianë në provincën e Pizës, pas një ndjekjeje policore që zgjati disa kilometra, raportojnë mediat italiane.
Sipas autoriteteve, i riu u qëllua me dy plumba pasi tentoi të largohej me veturë gjatë një kontrolli policor. Pas incidentit, ai është dërguar në spital për trajtim mjekësor, ndërsa bëhet e ditur se gjendja e tij shëndetësore nuk është e rëndë.
Ngjarja nisi pas një telefonate të një gruaje, e cila kërkoi ndihmën e policisë duke deklaruar se djali i saj i mitur po i nënshtrohej një shantazhi. Sipas raportimeve, të miturit i ishte marrë telefoni celular dhe autorët kishin kërkuar një shumë prej një mijë eurosh për ta kthyer atë.
Me mbërritjen e patrullës së karabinierëve, një nga të dyshuarit dyshohet se ka përplasur me makinë një efektiv policie dhe më pas është larguar me shpejtësi të madhe. Kjo ka çuar në një ndjekje që ka nisur në Bientina dhe ka përfunduar në Montopoli.
Gjatë përpjekjes për t’i ndaluar të dyshuarit, karabinierët kanë qëlluar pesë herë me armë zjarri. Rrethanat e plota të ngjarjes janë ende nën hetim nga autoritetet italiane.