Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Vetëvendosje: vetëdije politike apo taktikë elektorale?

Vetëvendosje: vetëdije politike apo taktikë elektorale?

Nga: Nikollë D. Ukaj

Në prag të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, në skenën politike të Kosovës vërehet një ndryshim i dukshëm në tonin publik të Lëvizjes Vetëvendosje dhe figurave të saj kryesore. Ata, të cilët gjatë viteve të fundit në pozita qeverisëse janë shquar për një gjuhë të ashpër, konfrontuese dhe shpesh fyese ndaj opozitës, mediave dhe kritikëve, tashmë po shfaqen më të matur në paraqitjet televizive dhe debatet publike.

Pa hyrë në anshmëri politike, faktet janë të njohura: gjatë mandatit qeverisës, kryeministri në detyrë ka përdorur një fjalor që shpesh ka kaluar kufijtë e debatit politik normal. Etiketimet ndaj opozitarëve, ironizimi publik dhe sulmet verbale ndaj mediave dhe gazetarëve kanë krijuar një klimë tensioni, ku fjala politike shpesh ka zëvendësuar argumentin me ofendimin. Kjo ka lënë gjurmë jo vetëm në diskursin publik, por edhe në raportin mes pushtetit dhe institucioneve të pavarura të shoqërisë demokratike.

Sot, megjithatë, kur zgjedhjet janë afër dhe vota e qytetarit bëhet përcaktuese, gjuha ndryshon. Në studio televizive dhe dalje publike, liderët e Vetëvendosjes flasin më shumë për dialog, përgjegjësi, qytetarë dhe demokraci, duke shmangur sulmet direkte që dikur ishin pjesë e zakonshme e komunikimit të tyre politik. Ky ndryshim ngre një pyetje legjitime: a kemi të bëjmë me një reflektim real mbi gabimet e së kaluarës apo me një strategji të pastër elektorale?

Në politikë, sidomos në demokracitë e reja si Kosova, ndryshimi i tonit në prag të zgjedhjeve nuk është risi. Ai shpesh është instrument për të zbutur perceptimin publik, për të mos larguar votuesit e pavendosur dhe për të krijuar një imazh më gjithëpërfshirës. Kjo nuk përjashton mundësinë që brenda kësaj zbutjeje të ketë edhe një vetëdije për teprimet e mëparshme, por mungesa e një distance të qartë kritike ndaj gjuhës së përdorur në të kaluarën e bën këtë pendesë të duket e pjesshme.

Në fund, qytetarët janë ata që do të vlerësojnë nëse kjo zbutje e diskursit është bindje e sinqertë apo thjesht një nevojë momentale. Gjuha politike nuk matet vetëm gjatë fushatës, por sidomos në ushtrimin e pushtetit. Dhe në pushtet, deri më tani, nuk janë treguar aq të butë e bashkëpunues sa në fillim të kësaj fushate.

Megjithatë, nëse ndryshimi i tonit shndërrohet në një standard të ri të komunikimit politik, atëherë mund të flasim për një pjekuri të vonuar, por të domosdoshme, të diskursit qeverisës në Kosovë.

Në këtë kontekst, këto zgjedhje do të jenë një mundësi për të parë nëse politika është, siç shprehet Migjeni, një “kameleon” që përshtatet sipas nevojave, e jo sipas parimeve që pretendon të përfaqësojë. Vota më objektive e një qytetari nuk duhet të bazohet vetëm në atë që thuhet, por në mënyrën se si është ndërtuar një parti, mbi çfarë parimesh është themeluar, si e ka ushtruar pushtetin dhe me sa përgjegjësi i ka ruajtur aleancat, si dhe si ka shprehur mirënjohjen e domosdoshme ndaj tyre.

Një votë e përgjegjshme nuk ndërtohet mbi ovacione, por mbi normalitet. Dhe normaliteti për Kosovën është i qartë: zhvillimi ekonomik, krijimi i vendeve të punës dhe konfirmimi i aleancave euro-atlantike si qëllimi ynë final dhe i pakompromis.