Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Kriza politike e banimit

Kriza politike e banimit

Shkruan: Afrim Kasolli

Një krizë e jashtëzakonshme është duke i përfshirë shumë demokraci perëndimore, kriza e banimit. Çmimet e banesave apo shtëpive janë duke shënuar rritje të vazhdueshme, duke goditur në masë të madhe veçanërisht brezin prej moshës 18 deri në 35 vjet. Sipas mediumit britanik “The Guardian” vlera në këtë sektor është rritur deri në 60 për qind që nga viti 2010. Ndërkohë, “qiratë e banesave janë ngritur deri ne 30 për qind. Në disa vende ato kanë shënuar një ngritje dramatike; sikur në Estoni deri në 208 për qind, në Lituani deri në 108 për qind dhe në Hungari deri në 107 për qind”.

Kështu hulumtimi më i ri nga agjencia e BE-së “Eurofound” (Fondacioni Evropian për Përmirësimin e Kushteve të Jetës dhe Punës) ka raportuar mbi nivele alarmante të pasigurisë lidhur më banimin. Sipas këtij dokumenti “shumë të rinj evropianë sot e shpenzojnë një të tretën e pagës së tyre për banim. Kurse në disa vende. Kurse në disa vende si në Poloni, Portugali, Spanjë dhe Bullgari një i punësuar ndërmjet moshës prej 18 deri në 34 vjet është i detyruar ta shpenzojë deri në 80 për qind të pagës për një banesë me dy dhoma. Me këtë rast kohë më parë, kryetari i Barcelonës, Jaume Collboni, ka ngritur shqetësimin se një trend i tillë sot është kërcënim për demokracitë evropiane po aq sa Rusia. Sepse sipas tij, gjithnjë e më shumë brezi i ri, është duke e humbur shpresën se demokracia funksionin në shërbim të tyre, duke i kontribuar në këtë mënyrë sforcimit të ekstremeve politike. Në këtë qytet këto çmimet janë rritur deri në 70 për qind brenda një dekade.

Ndaj këtij fenomeni, po shihet qartë së nuk ka shpëtim as Kosova. Sipas ASK-së “ çmimet e pronave banesore në tremujorin e dytë të vitit 2025 janë rritur për 4.2% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ndërsa në rajonin e Prishtinës rritja arrin në 6.5%.”

Në këtë kontekst ekspertët kanë konstatuar se përkeqësimi i krizës së përballueshmërisë është pasojë e një sërë faktorësh, sikur se shtimi i kostos së ndërtimit në periudhën pas pandemike etj. Por sipas Katherinë Butler, në shkrimin “Why young people are the big losers in Europe’s dysfunctional housing system” rrënjët e kësaj anomalie kanë shkaqe më të thella. Ato kanë të bëjnë me “financiarizmin” e këtij sektori, “ku banesat trajtohen vetëm si një aset tregu, dhe jo si një e drejtë themelore njerëzore”.

Operimi nën këto shtytje është bërë edhe burim i dezintegrimit poetik të kulturës së banimit. Sepse siç shkruante filozofi i njohur gjerman, Martin Heidegger, “poetikisht banon njeriu” (dichterisch wohnet der Mensch). Kjo edhe është arsyeja që gjithnjë e më tepër po bëhet joshëse gjuha poetike politike e përfaqësuar nga shumë lëvizje populiste.

Është befasuese se me çfarë lehtësie është duke u shpërfillur kjo temë gjatë kësaj fushate elektorale për zgjedhjet e 28 dhjetorit nga partitë politike. Madje nuk duhet injoruar faktin se njëra nga arsyet e suksesit të Lëvizjes Vetëvendosje ne zgjedhjet e vitit 2021 ishte edhe premtimi i saj për ofrimin të mundësive të banimit për çiftet e reja. Zotim ky që ajo nuk e mbajti si shumë të tjera.