Një nga boksierët më të mëdhenj të gjeneratës së tij, kampioni i pamposhtur i botës Terence Crawford, ka njoftuar fundin e karrierës së tij mbresëlënëse. Vendimi vjen vetëm tre muaj pas fitores së tij epike ndaj Canelo Alvarez për të unifikuar titujt e peshave super të mesme.
38-vjeçari nga Nebraska, i cili e mposhti legjendën meksikane në një performancë dominuese në Las Vegas në muajin shtator, e ndau vendimin e tij me publikun nëpërmjet një videoje në rrjetet sociale.
“Po tërhiqem nga garat, jo sepse kam mbaruar së luftuari, por sepse kam fituar një lloj beteje tjetër. Një betejë ku largohesh sipas kushteve të tua”, ka thënë Crawford.
Crawford (42-0, 31 KO) tërhiqet si kampioni në fuqi i peshave super të mesme WBA, IBF dhe WBO. Ai mbante gjithashtu rripin e WBC, por ky titull iu hoq më parë këtë muaj për shkak të një mosmarrëveshjeje për tarifat e papaguara.