Zbardhen detaje nga pengmarrja e Fisnik Xhakës në qytetin e Vlorës, një javë më parë ku për ta lënë të lirë kërkonin t’u paguante një shumë prej 75 mijë eurosh.
Sipas dosjes hetimore më datë 11.12.2025, rreth orës 12:00 në sallën operative të policisë, ka telefonuar një person, që është prezantuar si M. Xhaka dhe ka thënë se i vëllai i saj shtetasi Fisnik Xhaka ndodhej në qytetin e Vlorës dhe se e kishin marrë peng disa persona ku i kërkonin një shumë prej 75 mijë euro për ta lënë të lirë.
Ajo ka telefonuar me numrin e telefonit suedez dhe ka thënë se i vëllai i saj mbahej peng nga dy persona të cilët quheshin Xhulian Zogaj dhe Orest Carapaj. Ajo ka thënë se vëllai i saj kur kishte marrë telefonin i kishte dërguar një lokalcion të vendodhjes së tij dhe se ishte në rrezik të madh për jetën pasi personat ishin të rrezikshëm dhe të dhunshëm.
Pasi u hap lokacioni i dërguar nga shtetasja M. Xhaka, rezultoi se kjo vendodhje ishte në lagjen Osmën Haxhiu, në rrugën Demokracia, në një pallat shumëkatësh, mbi bar kafe “Rruga e Re”.
Policia ka shkuar në lokacionin e dërguar, motra e shtetasit nga Kosova, ka rezultuar se kishte një pallat 7 katësh, ku hyrjen e kishte nga mbrapa tij. Gjatë kësaj kohe është mbajtur kontakt me motrën e shtetasit Fisnik Xhaka. Ajo iu ka dërguar numrin e telefonit me të cilin fliste me vëllain e saj. Gjatë kësaj kohe i është telefonuar numrit të shtetasit Fisnik Xhaka, ku kjo thirrje nuk ka marrë përgjigje. Në këto momente nga kati i fundit i pallatit i cili rezultonte me katin e 7-të nga toka, kanë dalë dy djem nga një banesë. Këta dy persona janë identifikuar se quheshin Julian Zogaj dhe Vilson Agaj. Policia ka ndërhyrë në banesën nga e cila dolën dy personat e në fjalë dhe derën e banesës e ka hapur shtetasi Orest Çorapaj. Në sallon i ulur u gjet shtetasi Fisnik Xhaka, person i cili nga familjarët e tij ishte denoncuar i rrëmbyer.
Shtetasi kosovar Fisnik Xhaka, në momentin që u gjet në banesë, u konstatua se ishte me paterica ku kishte një këmbë të dëmtuar, kishte dëmtime në pjesën e ballit, dëmtime në pjesën e syrit të djathtë.
Gjatë kontrollit në banesën ku mbahej Fisnik Xhaka, u gjet një radio marrëse-dalëse me ngjyrë si në jeshile me mbishkrimin Bt 31 Mhz, në gjendje të fikur e ngjashme si ato që përdoren për valët e policisë.
Të 4 personat e gjetur në atë ambient u shoqëruan në polici dhe në momentet e para Fisnik Xhaka shfaqte shenja frike dhe nuk donte të deklaronte emra se çfarë kishte ndodhur pasi kishte frikë për familjarët e tij, vëllezërit që kishte në Suedi dhe se u rrezikohej jeta.
Me vendim të prokurorisë janë vënë në përgjim të dyshuarit, Julian Zogaj, Orest Çorapaj, Vilson Agaj dhe shtetasi i rrëmbyer Fisnik Xhaka.