Nasim Haradinaj ka reaguar publikisht ndaj procesit të votimit paraprak brenda PDK-së, duke ngritur shqetësime serioze për përfaqësimin rajonal dhe mënyrën se si janë kanalizuar votat në listën e kandidatëve për deputetë.
Në një reflektim të gjatë, Haradinaj shprehet se pritjet e tij dhe të shumë anëtarëve të tjerë kanë qenë se partia do të shtrihej në të gjithë vendin, por rezultati, sipas tij, dëshmoi të kundërtën.
“Duke menduar për listën e kandidatëve konkurrues në PDK dhe kur iu referova votimit paraprak që kishim bërë, më doli se ne të tjerët kishim votuar kot ose ishim treguar të ‘pa zgjuar’. Kishim menduar se partija duhët të shtrihet në gjithë vendin”, ka shkruar Haradinaj.
Ai thekson se mbi 140 mijë vota nuk arritën të prodhojnë përfaqësim të gjerë jashtë një numri të kufizuar regjionesh.
“Rezultati tregoi se të gjitha votat tjera mbi 140.000 nuk sollën më shumë se 4 apo 6 kandidatë jashtë regjionit të 17-18 kandidatëve të tjerë”, ka shtuar ai.
Haradinaj ngre disa pyetje të drejtpërdrejta lidhur me vlerësimin e kontributeve brenda partisë dhe raportin mes qendrës dhe regjioneve.
“A do të thotë se ishim më të pavlefshëm dhe nuk kishim njerëz me vlera sa ata që bllokuan votën? Apo u mashtruam në besimin tek ‘ndershmëria’ e regjionalistëve?”, pyet ai.
Tutje shton: “Apo ata mendojnë se ne kemi detyrim të votojmë vetëm të ‘fortit’, të pa ‘mposhturit’, sepse ne s’kemi kontribute dhe merita në këtë vend?”
Duke folur për të ardhmen, Haradinaj paralajmëron iniciativa konkrete.
“Së shpejti do dal me një listë të kandidatëve ose zërave të rinj që besoj se i duhen së pari PDK-së, por edhe Parlamentit”, ka deklaruar ai, duke shtuar se:
“Do përfshij edhe disa zëra që ishin aty, por u munduan t’i anatemonin dhe duhet të jenë me patjetër aty.”
Në fund, ai lë të hapura disa pyetje që, sipas tij, ende nuk kanë marrë përgjigje.
“Si është e mundur që Prishtina me rrethinë të ketë 20–25 mijë vota pa asnjë deputet? Anamorava me 30.000 vota… sa deputet pati?! Po qytetet e tjera: Lipjani, Prizreni, Peja, Gjakova, Suhareka…?”