Partia Socialdemokrate do të organizojë protestë më 24 dhjetor në Prishtinë, kundër dënimit të Sali Mustafës nga Gjykata Speciale.
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj në konferencë për medie të hënën, tha se kjo protestë është e domosdoshme, pasi në Hagë po tentohet të shtrembërohet historia.
Molliqaj: Të shtunën do të mbajmë protestë
“Ftoj secilin qytetarë të Republikës së Kosovës, secilën organizatë shoqërore dhe politike që me datën 24 dhjetor, ditë e shtunë në sheshin “Zahir Pajaziti” në orën 14:00 të bashkohemi në protestë për të marshuar drejt sheshit “Skënderbeu” dhe adresuar kërkesat tona karshi institucioneve të Kosovës dhe dëshmuar që dënimi që është shqiptuar në Dhomat e Specializuara në Hagë nuk është në emrin tonë”, tha ai.
Ai tha se do të kërkojnë edhe amendamentimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, pasi siç tha ajo duhet të jetë gjykatë për drejtësi në Kosovë.
Molliqaj: Të bëhet amendamentimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara
“Qysh gjatë kësaj jave do t’i paraqesim propozimet tona me shkrim. Fillimisht do të kërkojmë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që të krijojnë një mbështetje, minimumi gjashtë deputetë për të nisur amendamentimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Këtë gjykatë që është e veçantë dhe padrejtë duhet të korrigjojmë dhe rregullojmë në mënyrë që të jetë gjykatë e drejtësisë. Jo gjykatë speciale, por gjykatë për drejtësi në Kosovë”, shtoi Molliqaj.
Lideri i PSD-së, tha se Gjykata Speciale po tenton të tjetërson historinë e Kosovës.
Molliqaj: Ka një tendencë që ka marrë rrugëtim për shtrembimin e historisë së Kosovës
“Tash ka një tendencë që ka marrë rrugëtim për shtrembimin e historisë së Kosovës dhe në ditët në vazhdim do të paraqesim fakte konkrete se si po tjetërsohet dhe po shkruhet ndryshe historia brenda dhe jashtë vendit”, deklaroi Molliqaj.
Javën e kaluar, trupi gjykues në Dhomat e Specializuara në Hagë, ka shqiptuar aktgjykim fajësues ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa duke e dënuar atë me 26 vjet burgim. /TV Arbëria