Shkruan: Agron Hoti
Duhet ta themi hapur dhe zëshëm: fati ynë i madh dhe i papërsëritshëm historik ishte ngadhënjimi i SHBA-së mbi komunizmin dhe BRSS-në në vitin 1991. Kjo fitore, në periudhën 1991–2001, solli çlirimin përfundimtar të Evropës Lindore dhe Juglindore nga çizmja ruse.
Pas kësaj Evropa Lindore dhe shumica dërmuese asaj Juglindore futet në NATO dhe përafrohet me BE. Nuk do të doja as ta mendoja, se çfarë do të kishte ndodhur me trojet shqiptare sikur BRSS, në vitin 1991, ta kishte fituar garën globale përballë SHBA-së.
Fitorja e SHBA-së ishte vetë kthesa historike për rikthimin e dinjitetit të shqiptarëve në rajon dhe në Evropë. Pikërisht në këtë periudhë u shpërbënë BRSS-ja, Çekosllovakia dhe Jugosllavia. Me atë “harxh” historik u çlirua edhe Kosova, u avancua pozita e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe Luginë të Preshevës, si dhe u çlirua Shqipëria nga mbetjet e komunizmit. Sot, shumica e trojeve shqiptare janë nën ombrellën e sigurisë së NATO-s.
Nuk duhet ta harrojmë kurrë se formimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ishte brenda mozaikut të madh amerikan për largimin e ndikimit të BRSS/Rusisë nga trojet shqiptare dhe zëvendësimin e tij me NATO-n. Brenda këtij mozaiku amerikan bënte pjesë edhe lëvizja paqësore e viteve 1990–1997, e udhëhequr nga Ibrahim Rugova.
Fakti që amerikanët kishin zyrë ndërlidhëse në Prishtinë para luftës, përmes së cilës informoheshin saktë për zhvillimet dhe lëvizjet politike në Kosovë, flet qartë për bashkëpunimin e ngushtë të lëvizjes paqësore të asaj kohe me SHBA-në.
Përmes kësaj qasjeje paqësore, amerikanët synonin konflikte sa më të kufizuara në hapësirat jugosllave, duke parandaluar përhapjen e një lufte rajonale me pasoja tepër të kushtueshme, sidomos për vetë ata. Sepse, në fund të ditës, do të ishin pikërisht amerikanët ata që do të duhej ta ndalnin luftën, pavarësisht përmasave të saj. Dhe pikërisht kështu ndodhi.
Fakti që amerikanët, edhe në kuadër të Gjykatës Speciale, flasin hapur për koordinimin e CIA-s me krerët e UÇK-së, si dhe për bashkëpunimin me strukturat drejtuese të lëvizjes paqësore të drejtuar nga Rugova, e konfirmon më së miri gjithë mozaikun amerikan mbi mënyrën se si duhej të ndërtohej procesi dhe si duhej të rridhnin ngjarjet gjatë rezistencës paqësore dhe asaj pasuese ushtarake për çlirimin, pavarësimin dhe shtetndërtimin e Kosovës.
Pra, rrallëherë, nëse asnjëherë, në histori, ka ndodhur që interesat tona shqiptare të përputheshin pothuajse 100% me ato të një Superfuqie si SHBA, sikurse që ndodhi nga viti 1991 deri në 2001 me shporrjen e çizmes ruse nga Kosova, Shqipëria dhe trojet tjera shqiptare. Një zhvillim i tillë proshqiptar vështirë të përsëritet më. E për të mos ndodhur më kjo, shqiptarët – nëse duan të mbijetojnë si komb – duhet që patjetër ta ruajnë, mirëmbajnë dhe pse jo thellojnë miqësinë me SHBA si me askë tjetër në glob.