Udhëheqësit e Bashkimit Evropian mblidhen në Bruksel më 18 dhe 19 dhjetor me fokus kryesor sigurimin e fondeve për Ukrainën për dy vitet e ardhshme. Një ditë më herët, më 17 dhjetor, zhvillohet edhe samiti BE–Ballkani Perëndimor, ku marrin pjesë udhëheqësit e gjashtë vendeve aspiruese: Kosova, Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
Kosova në këtë samit përfaqësohet nga presidentja Vjosa Osmani.
Samiti vjetor BE–Ballkani Perëndimor, vitet e fundit, është shndërruar më shumë në një formalitet, me pak rezultate konkrete. Edhe këtë vit nuk priten vendime të mëdha politike.
Sipas draft-deklaratës së samitit, të cilën e ka parë Radio Evropa e Lirë, BE-ja riafirmon se “e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian” dhe se zgjerimi mbetet një mundësi reale. Megjithatë, shumica e vendeve të rajonit vazhdojnë të jenë të bllokuara në procesin e anëtarësimit.
Mali i Zi ka shënuar përparimin më konkret, duke mbyllur më 16 dhjetor pesë kapituj negociues dhe duke arritur në gjithsej 12 kapituj të mbyllur nga 33. Shqipëria gjithashtu konsiderohet si vendi tjetër me ecuri më pozitive.
Për Kosovën, çështja kryesore mbetet heqja e masave ndëshkuese të BE-së, të vendosura më 2023. Edhe pse ekziston pajtim i gjerë se Prishtina ka ndërmarrë hapa për shtensionimin e situatës në veri, disa shtete anëtare, në krye me Francën, kanë shtyrë heqjen e masave, veçanërisht para zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit.
Nga Presidenca e Kosovës kanë bërë të ditur se gjatë samitit, presidentja Osmani do të zhvillojë takime me udhëheqës të institucioneve të BE-së dhe liderë të tjerë, ku prioritet do të jetë heqja e masave dhe avancimi i procesit të integrimit evropian.
Në draft-deklaratë përmendet edhe dialogu Kosovë–Serbi, ku theksohet se mungesa e normalizimit të raporteve po i mban të dyja vendet të bllokuara në rrugën evropiane. BE-ja kërkon zbatimin e plotë të Marrëveshjes për normalizim dhe aneksit të saj.
Po ashtu, theksohet Plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor, në vlerë prej 6 miliardë eurosh, i cili synon përshpejtimin e rritjes ekonomike në rajon përmes reformave dhe investimeve.
Për vitin 2026, BE-ja synon hapa praktikë integrues, si zgjerimi i Zonës së Pagesave në Euro (SEPA) edhe për Kosovën dhe Bosnjën, si dhe përfshirja e të gjithë rajonit në regjimin e telefonisë mobile të BE-së, duke ulur ndjeshëm tarifat e roamingut.