Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > E njohu në TikTok, i mituri nga Fushë Kosova dyshohet se u dhunua në Ferizaj

E njohu në TikTok, i mituri nga Fushë Kosova dyshohet se u dhunua në Ferizaj

Një rast i rëndë dyshohet se ka ndodhur ditë më parë në qytetin e Ferizajt, ku një i mitur nga Fushë Kosova dyshohet se është dhunuar nga një person të cilin e kishte njohur përmes rrjeteve sociale.

Sipas raportimeve, i mituri ka deklaruar se ishte njohur me të dyshuarin përmes rrjetit social TikTok, pa e njohur më herët personalisht.

Lidhur me rastin, Telegrafi ka kontaktuar Prokurorinë Themelore në Prishtinë, nga ku kanë bërë të ditur se çështja ndodhet në fazën preliminare të mbledhjes së informacioneve dhe provave.

“Prokurori i Shtetit ka pranuar informacion lidhur me këtë çështje. Aktualisht, rasti është në fazën e grumbullimit të informacioneve dhe provave të tjera që do të shërbejnë për vijimin e procedurës hetimore”, ka deklaruar zëdhënësja e Prokurorisë, Kaltrina Shala.

Ajo ka shtuar se bëhet fjalë për procedurë penale që përfshin të mitur, ndaj informacionet janë të kufizuara dhe trajtohen me konfidencialitet.

Ndërkohë, Policia e Kosovës ka njoftuar se më 15.12.2025, rreth orës 11:00, stacioni policor në Fushë Kosovë ka pranuar informacion për një rast të dyshuar të abuzimit ndaj një të mituri.

“Dyshimet sugjerojnë se i mituri është kontaktuar përmes rrjeteve sociale dhe se ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në territorin e Ferizajt. Specialistët për hetimin e rasteve të tilla, në bashkëpunim me institucionet relevante, janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit”, thuhet në njoftimin e policisë.

Me autorizim të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar hetim për veprën penale “Dhunimi”, ndërsa policia po punon intensivisht në identifikimin e të dyshuarit dhe përcaktimin e vendndodhjes së tij, duke garantuar mbrojtjen dhe konfidencialitetin e viktimës.