Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > AIP u bën thirrje partive politike të respektojnë mbrojtjen e të dhënave personale gjatë fushatës zgjedhore

AIP u bën thirrje partive politike të respektojnë mbrojtjen e të dhënave personale gjatë fushatës zgjedhore

Me fillimin e fushatës zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, që do të mbahen më 28 dhjetor 2025, Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka ritheksuar kërkesën ndaj partive politike për respektimin e plotë të ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale gjatë procesit zgjedhor.

Në njoftimin e saj, AIP thekson se “aktivitetet e përpunimit të të dhënave personale gjatë fushatës zgjedhore duhet të realizohen në pajtim të plotë me udhëzimet e Agjencisë që rregullojnë komunikimin me votuesit”, duke u bazuar në Ligjin Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Agjencia ka kërkuar nga subjektet politike që përpunimi i të dhënave personale për qëllime të promovimit të kandidatëve, komunikimit me votuesit apo organizimit të aktiviteteve politike të bëhet “mbi baza të qarta ligjore, duke respektuar parimin e drejtësisë, proporcionalitetit dhe transparencës”.

Sipas AIP-së, subjektet politike mbajnë përgjegjësi të plotë për sigurinë dhe ligjshmërinë e përpunimit të të dhënave personale të qytetarëve.

Në këtë drejtim, Agjencia ka theksuar se “çdo përpunim i të dhënave personale duhet të mbështetet në një bazë ligjore, siç është pëlqimi i qytetarëve, interesi legjitim i subjektit politik apo arsye të tjera të përcaktuara me ligj”.

Po ashtu, AIP ka paralajmëruar se të dhënat e kontaktit të qytetarëve, të mbledhura gjatë ushtrimit të funksioneve publike apo për qëllime jo-politike, nuk duhet të përdoren për komunikim apo marketing politik.

Në njoftim theksohet edhe e drejta e qytetarëve për të kundërshtuar përpunimin e të dhënave të tyre.

“Subjektet politike janë të obliguara të ndërpresin menjëherë komunikimin pas paraqitjes së kundërshtimit nga qytetarët”, thuhet në njoftim.

Agjencia ka kërkuar gjithashtu shmangien e profilizimit të votuesve dhe përpunimit masiv të të dhënave të ndjeshme për qëllime të marketingut politik, përveç rasteve kur ekziston bazë e qartë ligjore”.

“Në rastet kur përdoren teknologji që paraqesin rrezik të lartë për të drejtat e individëve, kërkohet kryerja e Vlerësimit të Ndikimit mbi Mbrojtjen e të Dhënave”, thuhet në njoftim.