Policia e Kosovës ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin e vendndodhjes së një personi të dyshuar për vepra penale që lidhen me narkotikë.
Sipas njoftimit zyrtar, hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë – Njësia Pejë, më 09 shtator 2025, në koordinim dhe me autorizim të Prokurorit të Shtetit, kanë zhvilluar veprime hetimore në kuadër të një rasti penal. Personi i dyshuar lidhet me veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” si dhe “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”.
Pas publikimit të fotografive dhe falë bashkëpunimit me qytetarët, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se është identifikuar personi i dyshuar, Hajder (Petref) Mukaj. Megjithatë, autoritetet policore kërkojnë ndihmën e mëtejme të qytetarëve për sigurimin e informatave që do të ndihmonin në identifikimin e lokacionit aktual të tij.
Policia u bën thirrje të gjithë qytetarëve që, nëse kanë ndonjë informatë relevante, të kontaktojnë Policinë e Kosovës në numrin 192 ose përmes adresës elektronike: [email protected]