Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > A mund ta mbrojë Gjermania BE-në nga SHBA-të?

A mund ta mbrojë Gjermania BE-në nga SHBA-të?

Shkruan: Afrim Kasolli

Pax Americana, sipas kancelarit të Gjermanisë Fredrich Merz, gradualisht po merr fund në Evropë. Tashmë SHBA-të janë duke ndjekur vetëm interesat e tyre nacionale dhe janë gjithnjë e më shumë skeptik ndaj entiteve mbi sovrane sikur BE-etj. Këtë fakt e dëshmon edhe lansimi i strategjisë së re nacionale nga Shtëpia e Bardhë. Në këtë kontekst, sot para BE-së më shumë se kurrë shtrohet dilema se kush do ta kompensojë vakumin e mundshëm amerikan? Analistë të ndryshëm janë shprehur skeptikë se kjo mund të bëhet për një periudhë të afërt, sidomos në sferën e sigurisë dhe kur marrim parasysh impulset agresive gjithnjë e më të hapura të imperializmit rus, me synim restaurimin e hegjemonisë së dikurshme cariste. Pra a po shkojmë drejt një fragmentarizmi të BE-së, apo ringjalljes hegjemonike gjermane? Madje opsioni i parë po shihet edhe si model i preferuar nga Uashingtoni. Sepse sipas disa informacioneve nga një pjesë e pa publikuar e dokumentit të NSS tregohet se si do të veprojë SHBA në të ardhmen në Evropë. Drafti parashikon që duhet “të intensifikohet bashkëpunimi i SHBA-së veçanërisht me Italinë, Austrinë, Poloninë dhe Hungarinë, “me qëllim për t’i shkëputur ato [nga Bashkimi Europian].

Nën shtytjen e këtyre forcave antagoniste e vetmja mundësi që ka mbetur në horizont për ta ruajtur BE-në mbetet një riaktivizim më i madh i Gjermanisë. Në fund të fundit mbijetesa e këtij entetitet më shumë është interes primar i Berlinit. Madje edhe krijimi i tij si dhe i NATO-së ishte bërë për t’i akomoduar interesat ekonomike të Gjermanisë, por për ta mbajtur atë të përulur ushtarakisht për shkak të përvojës tragjike historike. Dy luftërat botërore të shekullit të kaluar e përfshinë Evropën pikërisht për shkak të ambicieve gjermane për shtrirje hegjemonike në këtë hapësirë gjeopolitike, çfarë edhe sollën intervenim amerikan si mundësia e fundit për ta frenuar atë potencial. Kthimi herën e dytë ndodhi pikërisht për të mos i përsëritur gabimet e herës se parë, kur pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore u tërhoqën nga trualli evropian.

Ndërkohë siç dihet Gjermania 50 për qind te GDP e siguron nga eksporti. Kjo kauzë kishte gjetur pacifikim nga tregu i përbashkët evropian dhe kohen e fundit nga shfrytëzimi i burimeve të lira energjetike ruse si dhe importimi i fuqisë punëtore nga vendet e tjera. Kështu, për aq kohe sa funksiononte ky model te gjithë ishin te kënaqur edhe pse sigurinë e kësaj arkitekture e garantonte SHBA. Gjermania përfitonte ekonomikisht, e ruante primatin si hegjemonia ekonomike e kontinentit të vjetër, kurse Amerika nëpërmjet saj e ruante kontrollin si në Evropë, ashtu edhe më gjere. Baza amerikane ushtarake Ramstein është simbol i kësaj koekzistence. Por tashmë këto parametra janë lëkundur. Kurse si pasojë e këtyre trandjeve po shtohet edhe frustrimi i brendshëm politik në shoqërinë gjermane. Suksesi elektoral i AfD është vetëm njëra nga simptomat më evidente të këtyre dinamikave. Zhvillime këto që kanë shtuar alarmin se shumë shpejt ky shtet mund ta gjejë vetën nën shtytjen e presioneve për rimilitarzim sa më të madh si garanci për siguri.

Në anën tjetër, ky projekt vështirë do të gjente mirëkuptim te fuqitë tjera evropiane, sidomos te Franca dhe Britania. Çdo përpjekje për ringritje militare do të shihej me dyshim nga këto vende për shkak të traumave të së kaluarës. Ato u pajtuan në fund të shekullit të kaluar mbi bashkimin e Gjermanisë, pas shumë hezitimeve, vetëm pas garancioneve amerikane se ky proces do të kryhej plotësisht nën menaxhimin e strukturave euroatlantike dhe gatishmërisë së këtij shteti për të hequr dorë nga simboli i fundit i krenarisë nacionale, siç ishte marka gjermane. Madje, sipas shënimeve autobiografike edhe ish-lideri i fundit i Bashkimit Sovjetik, Mikhail Gorbachev, u pajtua për këtë zgjidhje, vetëm sepse sipas tij, një Gjermani e integruar në ato struktura do të nënkuptonte një Rusi më të sigurt. E tëra kjo duke marr parasysh pasojat që kishte pasur ai shtet vetëm në dy luftërat botërore nga agresionet e botës teutonike.

Prandaj, sot më shumë se kurrë po shtrohet dilema se a do të mund Gjermania ta mbrojë BE-në nga Amerika në mënyrë demokratike, duke e ruajtur kuptohet primatin e saj ekonomik, apo këto presione do t’i ushqejnë ambiciet e saj militare hegjemonike duke i dhënë kështu përfundimisht goditjen fatale projektit më paqësor në historinë e kontinentit, kuptohet kryesisht edhe për shkak të prezencës sw deri tanishme amerikane.