Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > E thotë studimi: Errësira e dhomës mund të ndikojë në shëndet

E thotë studimi: Errësira e dhomës mund të ndikojë në shëndet

Çdo ditë, sapo drita e diellit bie në sytë e njerëzve, trilionë “orë biologjike” rivendosen brenda qelizave të trupit. Organizmi përdor dritën për të rregulluar me saktësi shumë procese jetike – nga prodhimi i enzimave në mëlçi, te ndarja e qelizave të flokëve dhe mbajtja e tensionit të gjakut në nivele të shëndetshme. Kur trupi nuk merr dritë të mjaftueshme në kohën e duhur të ditës, shëndeti mund të përkeqësohet, shkruan TIME.

Por, përveç përfitimeve, studiuesit po zbulojnë gjithnjë e më shumë se drita ka edhe anën e saj të dëmshme, sidomos gjatë natës. Studime të ndryshme kanë treguar se ekspozimi ndaj dritës gjatë gjumit lidhet me probleme serioze shëndetësore.

Në vitin 2019, një studim gjeti lidhje mes obezitetit te gratë dhe dritës gjatë gjumit. Një tjetër studim e lidhi ekspozimin ndaj dritës natën me tension të lartë të gjakut, obezitet dhe diabet te personat e moshuar.

Ndërsa një studim i publikuar në tetor 2025, i cili analizoi të dhënat e rreth 90 mijë personave që mbanin pajisje monitoruese në kyçin e dorës, zbuloi se drita e ambientit gjatë natës lidhej me rrezik më të lartë për dështim të zemrës dhe sëmundje të tjera kardiovaskulare gjatë një periudhe rreth 10-vjeçare.

Edhe pse këto studime nuk e provojnë drejtpërdrejt se drita është shkaku, ato tregojnë qartë se shëndeti i mirë kërkon net të errëta.

“Studimi i fundit u mbështet në bazën më të madhe të të dhënave për ekspozimin personal ndaj dritës, pjesë e UK Biobank”, ka shpjeguar Angus Burns, studiues në Harvard Medical School dhe autor i studimit. UK Biobank përfshin të dhëna nga rreth gjysmë milioni vullnetarë, shumë prej të cilëve kanë mbajtur pajisje monitoruese për një javë, të pajisura edhe me sensorë drite.

Çfarë zbuluan studiuesit?

Kur pjesëmarrësit u ndanë sipas sasisë së dritës që merrnin ndërmjet mesnatës dhe orës 6 të mëngjesit, u vu re se rreth gjysma flinin pothuajse në errësirë totale. Gjysma tjetër ishte e ekspozuar ndaj dritës. Në 10 për qindëshin me ekspozimin më të lartë, niveli mesatar i dritës ishte rreth 100 luks – afërsisht sa ndriçimi i dobët i një korridori hoteli.

Kjo ekspozim mund të ndodhte për shkak të televizorit të ndezur ose qëndrimit zgjuar deri vonë. Krahasuar me ata që flinin në errësirë, personat me net më të ndriçuara kishin më shumë gjasa të zhvillonin sëmundje të zemrës ose të pësonin infarkt. Sa më shumë dritë gjatë natës, aq më i lartë ishte rreziku.

Personat në 10 për qindëshin më të ekspozuar kishin rrezik dukshëm më të madh për fibrilacion atrial dhe goditje në tru. Edhe pasi u morën parasysh faktorë si pesha trupore, diabeti dhe probleme të tjera shëndetësore, rreziku mbetej 30–60 për qind më i lartë, në varësi të sëmundjes.

“Nuk ishte thjesht çështje e gjumit të keq. Edhe pasi u përshtatëm për sasinë e gjumit, ekspozimi ndaj dritës mbeti një parashikues i fortë dhe i pavarur për sëmundjet e zemrës”, ka thënë bashkautori i studimit, Daniel Windred.

Edhe doktoresha Phyllis Zee, profesoreshë e neurologjisë në Northwestern University, ka theksuar se këto gjetje përputhen me studime të mëparshme, por tani janë konfirmuar në një numër shumë më të madh njerëzish.

Pse është e dëmshme drita gjatë natës?

Një nga arsyet kryesore është ndërhyrja në orën biologjike të trupit, duke frenuar prodhimin e melatoninës – hormonit që ndihmon trupin të dallojë ditën nga nata. Edhe ekspozime të shkurtra ndaj dritës mund ta pengojnë prodhimin e saj.

“Nga pikëpamja evolutive, ne sot po marrim dritë gjatë natës shumë më të fortë se drita e hënës apo e zjarrit”, ka thënë Burns. Ndërkohë, gjatë ditës, shumica e njerëzve kalojnë kohën brenda, duke marrë shumë më pak dritë natyrore sesa trupi ka nevojë.

Studiuesit theksojnë se ditët e ndriçuara mirë dhe netët shumë të errëta mund të mbrojnë nga problemet e zemrës. Eksperimente laboratorike kanë treguar se personat që flenë me dritë ambienti kanë rrahje më të larta të zemrës gjatë gjumit dhe metabolizëm më të ngarkuar ditën tjetër.

“Ishte sikur trupi të ishte në një gjendje të vazhdueshme alarmi”, shpjegon Zee.

Ekspertët rekomandojnë masa të thjeshta si përdorimi i maskave për sytë, perdeve të errëta dhe mbyllja e burimeve të dritës gjatë natës për të ulur ekspozimin.

“Ndriçimi elektrik është krejtësisht i panatyrshëm për biologjinë tonë. Në shkallë evolutive, është diçka shumë e re. Njeriu i lashtë nuk flinte i rrethuar nga drita – me shumë gjasë, jo”, përfundon Burns.