Dje një tërmet i lehtë me magnitudë 3.1 shkallë ka goditur Kosovën në orët e hershme të mëngjesit, pa shkaktuar dëme materiale apo shqetësime serioze te qytetarët. Megjithëse tërmetet me intensitet të ulët nuk paraqesin rrezik të madh, sipas sizmologëve ato janë një sinjal i qartë se rajoni mbetet sizmikisht aktiv.
“Bazuar në hartën e rrezikut sizmik, territori i Kosovës ka tri apo katër zona me aktivitet më të lartë, ndërsa disa zona me aktivitet më të ulët. Megjithatë, çdo sipërfaqe brenda territorit të Kosovës është zonë sizmike”, ka deklaruar për RTK-në Shemsi Mustafa, drejtor i Institutit Sizmologjik të Kosovës.
Përballë këtij realiteti, shqetësim i madh mbetet respektimi i standardeve të ndërtimit, të cilat shpeshherë mbesin vetëm në letër. Sipas sizmologëve, fatkeqësisht një pjesë e ndërtimeve në Kosovë nuk do të mund t’i bënin ballë as edhe një tërmeti me magnitudë jo shumë të lartë, çka e bën të domosdoshëm zbatimin e kritereve të qarta për parandalimin e katastrofave të mëdha.
“Ndërtesat e ndërtuara në vitet ’60 shumë pak e kanë pasur të përfshirë parametrin sizmik. Nga vitet ’70 deri në fund të viteve ’90, ky parametër ka qenë i përfshirë. Ajo që është më shqetësuese janë ndërtimet në dekadën pas luftës, ku faktikisht ka projektuar kushdo dhe ka ndërtuar kushdo”, ka theksuar Mustafa.
Në këtë kontekst, edhe njohës të fushës së ndërtimtarisë nënvizojnë se respektimi i standardeve të ndërtimit dhe ndërhyrja në objektet e vjetra janë thelbësore për garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe për uljen e rrezikut në rast të tërmeteve më të fuqishme.
“Ne jemi vazhdimisht skeptikë për këto çështje dhe realizojmë studime të vazhdueshme, sidomos për objektet ekzistuese dhe ato të vjetra, të ndërtuara jashtë kodeve dhe ligjeve që sot kërkohen për ndërtimin dhe kapacitetin mbajtës të strukturave”, theksojnë ekspertë të inxhinierisë së ndërtimit.
Ata bëjnë thirrje që institucionet e Kosovës, të cilat certifikojnë projektet për stabilitetin e strukturave, të sigurojnë që këto procese të kalojnë përmes instituteve përkatëse dhe fakulteteve profesionale.
Sipas vlerësimeve sizmologjike, zonat më të rrezikuara nga tërmetet në Kosovë janë rajoni i Dukagjinit, Prizreni, Gjilani, Vitia dhe Ferizaj, si dhe Prishtina me rrethinë, megjithëse me një shkallë më të ulët rreziku. Tërmeti më i madh i regjistruar në Kosovë në dekadat e fundit ka qenë ai me magnitudë 6.1, që goditi zonat e Ferizajt, Vitisë dhe Gjilanit.