Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Ukraina refuzon propozimin për zonën e demilitarizuar në Donbas

Ukraina refuzon propozimin për zonën e demilitarizuar në Donbas

Negociatat mes presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe një delegacioni amerikan për një zonë të demilitarizuar në Ukrainën lindore përfunduan pa marrëveshje gjatë takimit në Berlin më 14 dhjetor, raporton Bild, duke cituar zyrtarë të njohur me diskutimet.

Bisedimet u fokusuan mbi një kornizë paqeje 28-pikëshe të mbështetur nga SHBA-të, që synonte ngrirjen e luftës. Propozimi përfshinte, sipas raportimeve, angazhimin e Ukrainës për të mos kërkuar anëtarësim në NATO dhe mbajtjen e zgjedhjeve brenda 100 ditëve, por negociatat ngecën kryesisht për çështjet territoriale.

Sipas propozimit, forcat ukrainase do të tërhiqeshin nga disa pjesë të rajonit të Donetskut për të krijuar një “zonë ekonomike të demilitarizuar”, duke përfshirë njohjen de facto të Krimesë, Luhanskut dhe Donetskut si territore të kontrolluara nga Rusia. Ukraina do të pranojë gjithashtu tërheqjen nga pjesë të Donetskut që aktualisht kontrollon, të cilat do të demilitarizoheshin dhe njiheshin ndërkombëtarisht si territor rus.

Zelensky ka hedhur poshtë me vendosmëri çdo tërheqje njëanshme të Ukrainës nga Donetsku, duke theksuar se kjo do të konsiderohej kapitullim. “Një tërheqje e njëanshme nuk do të pranohet,” tha një zyrtar i lartë ukrainas për Bild.

Ai shtoi se propozimet e një zone tampon përgjatë vijës së kontaktit janë të paqarta dhe nuk parashikojnë tërheqjen e forcave ruse, duke ngritur shqetësimin se Rusia mund të përdorë çdo tërheqje për të avancuar ushtarakisht.

Zelensky komentoi gjithashtu se Moska shpesh përdor dezinformata për të shmangur kostot ushtarake dhe për të fituar territor përmes presionit diplomatik, duke marrë si shembull pretendimet ruse mbi Kupyanskun, të cilat i cilësoi të rreme.

Në një raport të mëparshëm, gazeta franceze Le Monde pretendoi se Kievi kishte rënë dakord për një zonë të demilitarizuar në Donbas dhe se propozimi ishte miratuar nga udhëheqësit evropianë dhe përfshirë në planin e SHBA-së, por zyra presidenciale e Ukrainës i hodhi poshtë këto pretendime më 12 dhjetor.

Këshilltari presidencial Mykhailo Podolyak theksoi për Kyiv Post se deri tani diskutimet janë ekskluzivisht teorike dhe se çdo proces negociatash përfshin shqyrtimin e të gjitha opsioneve, përfshirë mundësinë e ndalimit të luftimeve përgjatë vijës së kontaktit, por pa marrë vendime konkrete.