Eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi, në emisionin Five në RTV Dukagjini ka folur lidhur me pjesëmarrjen e paramilitarëve serbë në luftën në Ukrainë, të cilët kanë deklaruar se sapo të përfundojnë atje, do të kthehen në Ballkan. Mediumi britanik The Telegraph ka raportuar gjithashtu se këta pjesëtarë po përgatiten për një konflikt të mundshëm në rajon.
Ibishi ka theksuar se paralajmërimet për destabilizim duhet të merren seriozisht.
“Mercenarët serbë kanë marrë pjesë në shumë konflikte, jo vetëm në Ukrainë, por edhe në disa vende të Afrikës, ku kanë kryer krime lufte. Në raport me paralajmërimet për destabilizim të Ballkanit, duhet të jemi të kujdesshëm dhe t’i monitorojmë këto grupe, të cilat janë parë edhe afër Kosovës,” tha ai.
Ndërkaq, ish-inspektori i AKI-së, avokati Shkelzen Sopjani, ka shtuar se pas pjesëmarrjes së paramilitarëve serbë qëndron ndikimi i Rusisë dhe strukturave të saj inteligjente, të cilat janë të pranishme veçanërisht në Serbi. Ai përmendi qytetin e Nishit si një qendër kyçe për aktivitetet e inteligjencës ruse.
“E ashtuquajtura ‘qendër humanitare’ në Nish funksionon në fakt si një qendër inteligjence, për aktivitete spiunazhi dhe koordinimi,” tha Sopjani. Ai shtoi se një pjesë e strukturave të sigurisë serbe janë të lidhura ngushtë me shërbimet ruse dhe veprojnë më shumë si vazhdim i FSB-së sesa si shërbim i pavarur.
Megjithatë, Sopjani vlerësoi se aktualisht nuk ka rrezik të menjëhershëm për një luftë të gjerë në Ballkan. Ai shtoi se, në rast të përshkallëzimit, Bosnja dhe Hercegovina është më e ekspozuar, ndërsa Kosova konsiderohet më e sigurt për shkak të homogjenitetit të popullsisë dhe pranisë së faktorëve ndërkombëtarë të sigurisë.