Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se më 31 dhjetor nuk do të zhvillohet numërimi i fletëvotimeve.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka sqaruar se procesi i numërimit do të ndërpritet në natën e Vitit të Ri, ndërsa kutitë e votimit do të ruhen gjatë gjithë kohës nga Policia e Kosovës.
Sipas tij, orari i saktë i organizimit të numërimit do të diskutohet më afër datës 28 dhjetor.
“Në natën e ndërrimit të mot-moteve nuk do të ketë numërim të fletëvotimeve. Orarin e organizimit do ta diskutojmë kur të jemi më afër ditës së zgjedhjeve. Materialet zgjedhore, përfshirë kutitë e votimit, ruhen non-stop në Qendrat Komunale të Numërimit nga Policia e Kosovës”, ka deklaruar Elezi në emisionin e KTV-së.
Elezi ka bërë të ditur gjithashtu se tërheqja e pakove me fletëvotime nga vendet e Bashkimit Evropian do të bëhet më 2 janar ose në ditët pasuese të punës, varësisht nga oraret e përcaktuara në shtetet ku votojnë bashkatdhetarët.