Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Joseph: Trump në pozitë unike për ta përmbyllur dramën në Ballkan me anëtarësimin e Kosovës dhe Serbisë në NATO

Joseph: Trump në pozitë unike për ta përmbyllur dramën në Ballkan me anëtarësimin e Kosovës dhe Serbisë në NATO

Edward P. Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins dhe ekspert i çështjeve të Ballkanit Perëndimor, ka deklaruar se kushti kryesor ende i papërmbushur për stabilitet real dhe të qëndrueshëm në rajon është pranimi nga Serbia i rendit perëndimor.

Duke folur pas dëshmisë së tij para Nënkomitetit për Europën të Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, në seancën dëgjimore me temën “Pikë e nxehtë: Rruga drejt stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”, Joseph tha se paqëndrueshmëria në rajon mbetet shqetësim serioz pavarësisht ndikimit të madh të SHBA-së, BE-së dhe NATO-s.

“Shtrova pyetjen thelbësore: pse ky rajon vazhdon të jetë i paqëndrueshëm, ndonëse Perëndimi ka ndikim vendimtar? Kushti kryesor i papërmbushur është që Serbia ta pranojë rendin perëndimor për Ballkanin. Kjo do të thotë të pranojë rezultatet e luftërave, pa kërkuar ‘kompensim’ në Bosnje e Hercegovinë, Kosovë apo Mal të Zi, dhe të orientohet drejt partneritetit strategjik me SHBA-në, BE-në dhe NATO-n, e jo me Rusinë dhe Kinën”, tha Joseph.

Ai vlerësoi se Administrata Trump mund ta shfrytëzojë një mundësi që, sipas tij, Administrata Biden e humbi, veçanërisht në raport me presionin ndaj Serbisë për t’u distancuar nga Rusia.

Joseph theksoi se SHBA-ja duhet të qëndrojë e palëkundur në kërkesën që Rusia të largohet nga Industria e Naftës e Serbisë (NIS), duke shtuar se vonesa e vendosjes së sanksioneve ndaj NIS-it ka forcuar ndikimin rus në Serbi. Sipas tij, presioni tani është më serioz, pasi Serbia po përballet me mungesë rezervash të naftës për shkak të mbylljes së rafinerisë në Pançevë.

“Nacionalizimi i NIS-it do të shkaktonte një përçarje serioze mes Moskës dhe Beogradit, duke hapur rrugën për hapa të mëtejshëm drejt Perëndimit”, tha ai.

Joseph vlerësoi se SHBA-ja ka mundësi ta përmbyllë procesin e papërfunduar të shpërbërjes së Jugosllavisë pikërisht në Kosovë.

“Presidenti Trump është në pozitë unike për ta shtyrë Beogradin drejt angazhimit për anëtarësim në NATO, së bashku me Kosovën. Kjo do të ndryshonte në mënyrë dramatike marrëdhëniet e Serbisë me fqinjët dhe me të kaluarën e saj, përfshirë Srebrenicën dhe Zhepën”, deklaroi Joseph.

Ai shtoi se një skenar i tillë është më realist sesa mendohet, duke theksuar se Trump gëzon popullaritet të madh në Serbi dhe perceptohet si figurë e fortë. Sipas tij, sondazhet tregojnë se rreth gjysma e qytetarëve serbë kanë qëndrim pozitiv ndaj NATO-s, veçanërisht nëse qeveria e Aleksandar Vuçiqit do të ndryshonte narrativën.

Joseph kritikoi gjithashtu qasjen e Administratës Biden, duke e cilësuar atë si të pabalancuar ndaj Kosovës dhe Serbisë. Ai përmendi sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it në Zveçan, rrëmbimin e tre policëve kosovarë nga Serbia dhe mungesën e ndëshkimeve ndaj Beogradit, ndërkohë që përgjegjësia, sipas tij, i është atribuar kryesisht Kosovës.

Në fund, Joseph foli edhe për Republikën Srpska, të cilën e cilësoi si “gabim kardinal” të Marrëveshjes së Dejtonit, duke theksuar se krijimi i saj vazhdon të përbëjë problem të brendshëm serioz për Bosnje e Hercegovinën.