Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > “Sot na paska turpnu Presidentja”, Muharremi kritikon vizitën e Osmanit në Mitrovicë

“Sot na paska turpnu Presidentja”, Muharremi kritikon vizitën e Osmanit në Mitrovicë

Analisti politik Shenoll Muharremi ka reaguar ashpër ndaj Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, pas pjesëmarrjes së saj sot në Mitrovicë në një ceremoni për urimin e një kryetari komune.

Përmes një postimi në Facebook, Muharremi ka vlerësuar se ky veprim është i pazakontë dhe përbën, sipas tij, “turp të madh”, duke ngritur dyshime për paanshmërinë e presidentes.

“Sot na paska turpnu Presidentja. Vjosa Osmani shkoi sot në Mitrovicë në një ceremoni të veçantë me urue një kryetar, po nuk ka shku me urue askënd tjetër”, ka shkruar Muharremi.

Ai ka ngritur pyetje pse Osmani nuk ka vepruar njësoj edhe në komuna të tjera.
“Pse nuk shkoi me urue në Prizren apo Prishtinë? Ferizaj?”, ka theksuar ai.

Sipas Muharremit, ky veprim dëshmon se Osmani nuk ka qenë e paanshme, ashtu siç e kërkon Kushtetuta.

“Kjo po tregon që nuk paska qenë asnjëherë e paanshme si e kërkon Kushtetuta. Po tregon që edhe ajo ka hise në fitoren e Mitrovicës”, ka shkruar analisti.

Ai ka përmendur gjithashtu përçarjet brenda LDK-së dhe marrëveshjet me Lëvizjen Vetëvendosje, duke lënë të kuptohet se presidentja ka pasur rol në to.

“E ndoshta, ajo edhe e paska bë ndarjen e LDK-së në Vushtrri dhe gjithë ato situata ku pa lejen e kryesisë u bë marrëveshja me LVV”, ka shtuar ai.

Muharremi vlerëson se Osmani po pozicionohet për rikthim në politikë aktive, por thekson se deri atëherë duhet të ruajë neutralitetin institucional.

“Kuptohet që ajo po pozicionohet për kthim në politikë, por derisa ende është në pozitën e presidentit, ajo duhet me qenë e paanshme dhe me u ruajt pak”, ka shkruar ai.

Në fund, ai ka rikujtuar edhe rolin e presidentes në procesin e dhënies së mandatit për formimin e qeverisë.

“Kur ja shton faktin që gjithashtu e ka shty bllokadën dhe krizën duke i thënë një mandat të dytë LVV-së pa pasur fakte… të gjitha këto janë fakte dhe argumente që ajo nuk paska qenë asnjëherë e pavarur si e kërkon roli i saj”, ka përfunduar Muharremi.