Ish-ambasadori dhe drejtori i Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED), Lulzim Peci, ka reaguar ndaj deklaratës së kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili gjatë një deklarimi në Zvicër tha se para ardhjes së tij në pushtet kishte më shumë armatim në odat e Kosovës sesa në kazermat e ushtrisë.
Peci e ka quajtur këtë deklaratë “një fjali të mirë për folklorizëm”, duke e vlerësuar si tentim për të manipuluar me të kaluarën dhe të tashmen, si dhe për ta shndërruar një çështje shtetërore në marketing politik.
Sipas tij, Kurti nuk e ka krijuar ushtrinë, por e ka gjetur atë si realitet ligjor dhe faktik, ndërsa kishte detyrim ligjor që ta vazhdonte procesin e armatimit sipas dinamikës së dakorduar më herët me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai thekson se përshpejtimi i armatimit të FSK-së ndodhi pas agresionit rus në Ukrainë, por VV-ja po tenton ta paraqesë këtë si sukses të vetin politik.
Peci vlerëson se VV-ja po lë në hije rëndësinë e formimit profesional të kuadrove të FSK-së, duke theksuar se ushtria nuk ndërtohet vetëm me armë, por me dije profesionale, doktrinë bashkëkohore dhe organizim të mirëfilltë. Sipas tij, shumë kuadra të FSK-së janë shkolluar në institucione elitare perëndimore para fazës së armatimit, një arritje kjo që, sipas Pecit, po tentohet të minimizohet.
Ai gjithashtu thekson se për shtete si Kosova, as armatimi optimal nuk mjafton për mbrojtjen e sovranitetit pa aleatë të fuqishëm, duke përmendur gabime të panevojshme të qeverisë aktuale dhe tensione që çuan deri te përjashtimi i FSK-së nga ushtrimi “Defender 2023”.
Peci shton se, ndonëse Qeveria Kurti është nën sanksione të SHBA-ve, FSK-ja ka mbetur jashtë tyre, duke u dëshmuar si institucion serioz dhe partner i besueshëm i Uashingtonit. Megjithatë, ai paralajmëron se edhe ky partneritet mund të ketë kufijtë e tij nëse vazhdon politizimi i ushtrisë.
Në fund, Peci thekson se të thuash se ka pasur “më shumë armatim në oda se në kazerma” tregon mungesë respekti për shtetndërtimin dhe ushtrinë profesionale. Ai kujton se sipas një studimi të UNDP-së të vitit 2003, në Kosovë kishte rreth 330 mijë deri në 420 mijë armë të lehta në duart e qytetarëve, shumica e të cilave më pas janë vënë nën kontroll ligjor, duke e cilësuar këtë si një arritje të madhe për sigurinë dhe shtetndërtimin e Kosovës.
Peci rikujton gjithashtu se FSK-ja u shndërrua ligjërisht në forcë mbrojtëse me karakter ushtarak më 14 dhjetor 2018, në koordinim me SHBA-të, duke theksuar se ky proces u finalizua gjatë qeverisjes së Ramush Haradinajt.